Infeksionet virusale tek të sapolindurit dobësojnë një pjesë të sistemit të imunitetit dhe rrisin rrezikun e shfaqjes së astmës më vonë gjatë jetës, kanë konstatuar shkencëtarët amerikanë.
Sipas rezultateve të hulumtimit të publikuar në revistën profesionale “Nature Medicine” në eksperimentet në minj shkencëtarët kanë treguar që infektimi me virusin respirator sincitik (Respiratory syncytial virus – RSV) shkatërron aftësinë e qelizave të imunitetit për të luftuar me inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes, raporton BBC.
Zbulimi i tyre mund të ndihmojë gjetjen e metodës për parandalimin e astmës, sëmundjes në të cilën, si përgjigje ndaj grimcave nga ajri që irritojnë, vjen deri te ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes, krijimit të sforcuar të këlbazës dhe ndryshimeve inflamatore.
Hulumtimet e mëhershme kanë treguar lidhjen në mes inflamacioneve të shpeshta të mushkërive të shkaktuara nga RSV dhe zhvillimit të astmës në vonë gjatë jetës ndërsa një hulumtim suedez ka treguar që 39 për qind e fëmijëve që hospitalizohen për shkak të infeksionit me RSV zhvillojnë astmën deri në moshën 18-vjeçare në krahasim me gjithsej nëntë për qind të fëmijëve të tjerë të cilët nuk kanë qenë të infektuar me atë virus.
Por këto hulumtime nuk kanë arritur të zbulojnë mekanizmin e veprimit të virusit.
Shkencëtarët nga fakulteti i mjekësisë në Universitetin Pittsburgh kanë dëshmuar në minj që virusi dëmton aftësinë e pjesës së caktuar të sistemit të imunitetit të quajtura qeliza rregullatore T për të qetësuar inflamacionin.
Tek personat me astmë, grimcat të cilat normalisht gjenden në ajër mund të shkaktojnë përgjigje të papërshtatshme inflamatore.
“Infeksioni me RSV çon deri te humbja e plotë e funksionit supresiv të qelizave T dhe më pas minjtë zhvillojnë simptomat e ngjashme me astmën”, kanë shpjeguar autorët e hulumtimit për BBC.