Infektologët i përgjigjen ‘zbulimit’ të Daut Demakut se hudhrat shërojnë Coronavirusin

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Derisa e gjithë bota është në luftë se kur do ta gjejë kurën për luftimin e virusit vdekjeprurës kinez COVID-19, apo ndryshe të njohur si koronavirusi, del një kosovar i cili thotë se e ka gjetur atë. Ky ilaç, sipas shkrimtarit kosovar dhe ligjëruesit të lëndës ‘Arti i Mendimit Pozitiv’, Daut Demaku, gjendet në Rahovec. Pra bëhet fjalë për hudhrën.

“Hudhra e Rahovecit ‘ta heq koronavirusin si me dorë’, po thotë Demaku. Por, sipas infektologëve kosovarë, ‘zbulimi’ i Demakut nuk është i duhuri për ta luftuar koronavirusin.

Gazeta Express ka biseduar me infektologun e QKUK’së, Salih Ahmetin i cili ka disa dekada që e kryen këtë punë. Ai thotë se hudhra që u përmend nga Demaku ndikon në imunitet, por nuk bën magji tek personat e prekur nga koronavirusi.

Sipas Ahmetit, për këtë punë ende asnjë shtet i botës nuk e ka gjetur ilaçin.

“Çdo barë, ushqim që ndikon në ngritjen e imunitetit të përgjithshëm, pa diskutim që do të ndikojë në mbrojtjen paraprake qoftë kundër koronavirusit e të tjerave. Por unë nuk njohë ndonjë ushqim që ka veprime specifike për koronarovirusin. Se po të kishte, atëherë shtetet më të mëdha do të ta zbulonin qëmoti”, ka deklaruar për Express mjeku kosovar.

Ai thotë se hudhra përmban vitaminë C, andaj si e tillë e mbron imunitetin, por jo edhe koronavirusin.

“Hudhra, qepa, limoni e të gjitha ushqimet tjera që përmbajnë vitaminën C, mund të ndikojnë në ruajtjen e imunitetit. Kjo nuk do të thotë se ajo mbron me absolutizëm ndaj koronavirusit. Deri më sot, vendet me mjekësi më të zhvillume në botë nuk kanë mundur që të gjejnë bar adekuat që ka ndikim të drejtpërdrejt në koronavirus. Por nuk do të thotë hudhra ka veprime mrekulluese dhe që e parandalon shfaqjen e koronavirusit”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, shkrimtari Daut Demaku po thotë se kura për koronavisurin tashmë gjendet midis Rahovecit. Ani pse sistemet më të përparuara të botës shëndetësore si ajo amerikane dhe ajo izraelite po parashikojnë dhe kanë deklaruar se do të kenë vaksinën kundër koronavirusit gati brenda 2 muajve dhe në treg do ta lëshojnë brenda 90 ditëve, Daut Demaku po del të ‘thyej rekord’.

Të ngjashme