Infektologu Salih Ahmeti në DESKU të KTV-së ka thënë se në Kosovë ende nuk ka arritur një valë e dytë e virusit COVID-19.
Sipas tij, jemi në një fazë që do të paraqesë vështirësi në menaxhim për shkak të sezonit të dimrit.
“Në aspektin profesional e kemi një valë që tek ne ka fillu prej marsit dhe po vazhdon tutje. Profesionalisht, valë e dytë do jetë kur rastet i vëjmë në zero dhe pas 28 ditëve kemi përsëritje të rasteve atëherë mund të flasim për një valë”, ka thënë ai.
Ahmeti ka thënë se do përballemi me situatë më të vështirë nëse situata nuk menaxhohet mirë.
“Jemi para një faze të re e cila ka fillu të tregoj ashpërsi, ka fillu me numër gjithnjë më të madh të rasteve, shtim të rasteve që kërkojnë shtrim në spital dhe që parametrat sugjerojnë se mund të përballemi nëse nuk e menaxhojmë si duhet, me numër më të madh të rasteve. Jemi para një faze që do paraqesë vështirësi të veçanta në krahasim me fazat e kaluara, sidomos korrikun e gushtin që kanë qenë më të ashpra. Kjo ashpërsi e fazës së ardhshme është më e vështirë për menaxhim meqë jemi në sezon të dimrit, kur krahas covidit është virusi sezonal”, tha ai.
Ndërsa, tha se do ishte mirë nëse vaksina kundër virusit do të ishte e disponueshme edhe në Kosovë, pasi sipas tij edhe virusi i gripeve të dimrit do ta vështirësojë gjendjen me koronavirusin tek pacientët.