Infektologu Salih Ahmeti ka folur lidhur me gjendjen e pacientëve me Covid-19 që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive.
Ai tha se rastet që po pranohen në trajtim kanë edhe komplikime të tjera shëndetësore.
“Këto rastet që kanë rezultuar pozitivë sot i kemi hospitalizuar. Gjithsej i kemi 62 raste të hospitalizuar me Covid-19, plus edhe një grup që është në pritje të rezultateve. Pasi t’iu merret mostra do të pritet për rezultatet virologjike të tyre”, tha Ahmeti.
“Aq sa është brengosëse numri i rasteve që dalin, aq më brengosëse është edhe se kemi filluar të pranojmë numër më të madh të rasteve. Rastet janë gjithnjë e më të rënda dhe kur vijnë kanë edhe komplikime, si raste pak a shumë të vonuara”, tha ai.
“Kishte me qenë e mundur që ne t’i pranojmë këto raste në fazat sa më të hershme, sepse përdorimi sa më i hershëm i terapisë në ditët e hershme është përcaktues i ecurisë së shërimit”.
Ai shtoi se mënyra e testimit nuk po bëhet në mënyrë të rastësishme, por nga kontaktet e mëparshme apo identifikimi në rrethet familjare si raste të kontaktit.
Ahmeti theksoi se ky numër duhej të ishte edhe më i madh, nëse do të kishte testime edhe më shumë.
“Ndërsa mostrat janë mostra të hulumtimit dhe gjurmimit e personave të cakut, pra janë mostra të kontaktit dhe nuk janë mostra të rastësishme. Ato janë marrë nga rrethet familjare apo identifikuar nga rastet e mëparshme”.
“Natyrisht numri i rasteve duhet të jetë edhe më i madh duke pasur parasysh distribuimin e virusit”.