Episodi i fundit i një takimi vëllazëror e gazmor mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, në Kongresin e Partive Popullore Evropiane në Berlin, nuk është gjë tjetër veçse një eklipsim politik, që i pari vijon t’i bëjë të dytit.
Kështu e mendon të paktën publicisti Halil Matoshi, i cili i pyetur nga Albanian Post, e përkufizon ngjarjen si një rrjedhë që ndjek zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri, ku Rama edhe kulmoi.
Kjo “lënie në hije” që Rama vijimësisht i bën Kurtit, është dukur më së shumti sipas Matoshit, sidomos pas zgjedhjeve në Shqipëri, ku “Kryeministri kosovar me eskortë e ‘Jeep’-a t’zi shkoi të votonte për t’i fituar në tërë trupin elektoral shqiptar rreth 1 mijë e 500 vota”.
Që në atë ditë, Rama e shfrytëzon supremacinë e tij prej politikani sipas publicistit, thjesht për t’u tallur me Kurtin.
Duke e emërtuar si një lojë bizare fëmijërie gjithë gjënë, Matoshi e përmbyll, duke përkufizuar se “inferioriteti prej inatçori i Kurtit dhe sjelljet groteske të Ramës, janë lojëra ballkanike, ku të dy janë të zhytur”.
Nga ana tjetër, studiuesi i filozofisë dhe profesori pranë Universitetit të Prishtinës, Blerim Latifi, e shtron gjithë episodin gazmor mes Ramës e Kurtit, në frymën e veprës së Platonit, “Ligjet”.
“Në veprën e tij “Ligjet”, Platoni e përkufizon demokracinë si teatrokraci, që do të thotë një regjim ku politika shpesh merr formën e një shfaqje teatrale, në të cilën aktorë janë politikanët, që me aktrimin e tyre duan ta bëjnë për vete publikun”, parashtron fillimisht Latifi, për të shpjeguar konceptin.
Më pas, ai argumenton se duket qartë, se Rama e zotëron më mirë se gjithë të tjerët këtë dimension të të bërit politikë në demokraci.
“Talenti i tij për të marrë vëmendjen duket i pashoq”, vijon më tej Latifi, duke përmbyllur se ai është një rrëmbyes i pamëshirshëm i vëmendjes së publikut.
Në realitet, pikërisht kështu ndodhi dhe të gjithë në rrafshin mediatik, përfshi edhe në rrafshin social, u morën me atë çfarë ndodhi mes të dyve, duke e përqendruar gjithë ngjarjen si një “tallje” të Ramës me Kurtin, kur ai nga pas iu afrua kryeministrit kosovar, i mbylli sytë dhe i kërkoi të gjente se kush ishte.
Vetë Rama, fillimisht fotografinë e postoi në median sociale Tik Tok, e cila njihet kryesisht për përmbajtjet gazmore dhe argëtuese, të cilat ngazëllejnë publikun.
Ndërsa, Kurti, i skuqur siç duket edhe nga video, e mori gjithë situatën me të qeshura e me batuta, të cilat vijuan mes të dyve, shkruan Albanian Post.