Shoqata Sindikale e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë (SHSIMP) ka kërkuar përkrahje nga avokati i popullit, Hilmi Jashari, për ndryshimin dhe rritjen e koeficientit për infermierët në Ligjin e ri për pagat. Kjo sindikatë është duke kërkuar qe koeficienti 2,25 të cilin e parasheh Ligji për paga për infermierët të ngrihet në 3,2 sikurse për fizioterapeutët, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tyre, ky ligj nuk i kategorizoi infermierët sipas kërkesave të tyre dhe sipas punës që infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë bëjnë.
“Infermierët që në fillim të nismës së këtij ligji kanë dhënë vërejtjet e tyre, po ashtu edhe në dëgjim publik pranë Komisionit Parlamentar për Administratë dhe Media, dhe së fundmi kërkesa te presidenti i Kosovës për mosnënshkrimin e këtij ligji dhe kthimin e tij në Kuvend për amendamentin shtesë”, thuhet në shkresën e SHSIMP-së.
Nënkryetari i kësaj shoqate, Përparim Berisha, në një prononcim për gazetën, ka thënë se janë duke kërkuar zbatim të plotë të Ligjit për paga.
“Për ne është bërë një shmangie nga Ligji i pagave pasi që infermierët i kanë ndarë në tri kategori, me koeficientet: 2,2 shërbimin parësor, 2,25 shërbimin dytësor dhe tretësor, ndërsa 3.2 për fizioterapeutët. Ne kemi kërkuar nga Avokati i Popullit që ai sipas të drejtës kushtetuese që i takon të na ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi pasi që edhe shkollimi dhe puna e infermierëve janë të njëjtë me fizioterapeutët. Shpresojmë që Jashari do të ndikojë në organet e shtetit që koeficientët e pagave të jetë 3,2 edhe për ne sikurse për fizioterapeutët”, ka thënë Berisha.