Për një orë, Sindikata e Infermierëve të Kosovës në bashkëpunim me Odën e Infermierëve të Kosovës dhe Shoqatat e Profesionistëve Shëndetësorë, kanë hyrë në grevë. Kërkesa e tyre janë rritja e koeficientit të pagave, pagesa e ndërrimit të natës, vikendeve e të rrezikshmërisë, përfaqësimi i infermierëve në Bord të SHSKUK-së, Komision Disiplinor, Departamenti i Infermierisë dhe pjesëmarrje në konkurset publike, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë paralajmëruar edhe masa radikale, nëse kërkesat e tyre nuk përfillën. Infermierët thanë se si pasojë e neglizhencës së institucioneve qeverisëse, shumë punëtorë shëndetësor po ikin nga Kosova.
Enlirat Duraku, nga Shoqata sindikale e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor, tha se kërkesa e tyre janë bazike e luksoze, kërkesa që burim e kanë ligjin e punës.
Duraku para gazetarëve tregoi edhe kërkesat që i kanë si punëtorë shëndetësorë.
“Ka filluar greva e paralajmëruar prej sindikatës së infermierëve të Kosovës. Fillimisht ne ju kërkojmë ndjesë qytetarëve të cilët gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit nuk kanë mundur t’i marrin shërbimet m, por ne i sigurojmë që sindikata e infermierëve e ka ofruar mbështetjen e plotë të QKUK-së për t’i siguruar procesin mirëpo si zakonisht ata kanë dështuar në përmbushjen e një obligimi ligjor i cili është edhe konsultimi i këshillit grevist, në mënyrë që të sigurohet minimumi i procesit të punës”.
“Janë kërkesa bazike nuk janë kërkesa luksoze, kërkesa që burim e kanë ligjin e punës. Kërkesat e sindikatës së infermierëve është koeficienti 7.1, rritja e pagesës së ndërrimeve të natës, tash duke u mbështetur në rritjen e kostos së shpenzimeve jetësorë një pagesë e tillë, prej që ne e quajmë 18 euro apo 10 litra naftë nuk i mjafton një infermieri, respektimi i ligjit të punës fillimi me pagesë të menjëhershme të rrezikshmërisë në punë, të punës gjatë vikendeve e festave si dhe pagesa e orëve shtesë për komunitetet tona”, tha ai.
Duraku tha se mund të ketë përsëri grevë apo veprime tjera sindikale.
E kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, ka apeluar te institucionet që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre. Ai tha se si pasojë e neglizhencës së institucioneve qeverisëse, shumë punëtorë shëndetësor po ikin nga Kosova.
“Bëj apel kësaj Qeverie dhe skenës politike që vetvetiu t’i merr parasysh këto kërkesa të cilat nuk janë kërkesa që nuk realizohen. Kjo shëndetësi, është sipas informatave që i kemi vazhdimisht kanë ik nga vendi për mostrajtimin e tyre të dinjitetshëm, tash i kam informacione që është dyfishuar numri i tyre që kanë ikur nga vendi për shkak të mosrealizimit të kërkesave tona me vite që i kemi bërë”, tha ai.
E kryetarja shoqatës së Instrumentarëve të Kosovës, Adelina Lahu, tha se kjo grevë është si rezultat i padrejtësive që iu bëhet atyre.
“Kjo pakënaqësi e kjo grevë është si rezultat i padrejtësive që na bëhen neve, në radhë të parë koeficienti në të cilën jemi renditur shumë më pak se profilet tjera me të cilët kemi shkollim të njëjtë. Mandej janë mos pagesat në kujdestari, ndërrime të natës, në orë shtesë, mospagesa e rrezikshmeve etj”, tha Lahu.