Inflacioni i monedhës turke dhe balancimi tarifor i ShBA-së

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 09:48 | Nga Arsim Ajeti

Kriza monetare (inflacioni) e monedhës turke – Lirës, nuk paraqet ndonjë befasi. Në fakt, stabiliteti i monedhës në Turqi po përkeqësohet me normë progresive vjetore të inflacionit dhe daton që nga viti 2016, me përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike, tregtare dhe strategjike në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit, konkretisht që nga ardhja në pushtet e presidentit Trump, i cili ka në fokus çështjet me prioritet që i kishte elaboruar në fushatën e tij zgjedhore mbi tarifat tregtare, rritjen ekonomike dhe ndërtimin e murit meksikan. Por, ajo që tërheq vëmendje në skenën globale është balancimi tregtar ekonomik i Amerikës karshi partnerëve regjionalë dhe globalë, konkretisht fokusimi në nivelimin e tarifave tregtare sidomos ndaj shteteve që kanë shfrytëzuar tregun liberal ekonomik për të eksportuar në ShBA me taksa minimale, por kanë aplikuar taksa të larta për importim të produkteve të prodhuara në ShBA.

Si rezultat, ky disbalanc ka bërë që shtetet si Kina, Rusia, Kanadaja dhe Turqia të këndellen dhe marrin hovin ekonomik gjatë këtyre dekadave të fundit të shekullit 21.

Me premtimin elektoral “America first”  dhe “MAGA”, Trump pa humbur kohë fillon zbatimin e masave adekuate për përmirësimin tarifave te shkëmbimit tregtar, dhe jo vetëm Kina pësoi nga ri-balancimi i taksave për importimin e produkteve të caktuara, por në efekt domino që nga Kina e deri në Turqi janë vërejtur shenjat e efektit Trump. por çfarë fshihet këtu? A janë këto taksa të njëanshme? Si ndikuan këto në inflacionin e lirës turke?

Sigurisht që këto përgjigje nuk do i gjejmë në shikim të parë dhe ekskluzivisht në rritjen e taksave të eksportimit,  pasi që masa pothuajse identike ka zbatuar Turqia ndaj ShBA-së vite me radhë duke filluar nga produktet e veshmbathjes dhe alkoolit, mobilieve, pajisjeve shtëpiake, kozmetike dhe duke prekur një ndër sektorët më me influencë në ShBA, atë që njihet si ‘big pharma’ apo sektorin farmaceutik. Në bazë të të dhënave nga faqja (1) zyrtare shohim se Turqia ka aplikuar politika mbrojtëse ndaj sektorit shumë të ndjeshëm në Turqi dhe shumë të fuqishëm në Amerikë.

Këto politika mbrojtëse të njohura në zhargonin ekonomik si ‘masa proteksioniste’ kanë ngjallur një reagim jo të vogël në komunitetin farmaceutik në Amerikë, pasi ata ishin direkt të goditur nga këto masa skajshëm të pavolitshme për tregun e tyre, me ofertë të limituar siç ceket edhe në planin  e veprimit 64  të Qeverisë turke për vitin 2016,(2) ku thuhet ‘Ministria Turke e Shëndetësisë kërkon furnizues të huaj të disa produkteve farmaceutike (aneksi 2) për të prodhuar nëpërmjet një kompanie  lokale turke, ku kompanive ofertuese iu kërkohet të dorëzojnë paraprakisht planet e tyre të produkteve  dhe ato të bëhen vetëm përmes 1 kompanie vendase të regjistruar si taksapaguese në Turqi’. Për më tepër, ishte vështirësuar shumë pajisja me certifikatat e lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe ritmi i inspektimeve ishte tepër i ngadalshëm, duke krijuar pengesë të qëllimshme të importit. Për shkak të numrit të produkteve të mbetura në stoqe, rreziku ishte tejet i madh për kompanitë farmaceutike të tentojnë depërtimin në tregun turk.

Nën patronatin e Erdoganit me iniciativën e rimëkëmbjes së mëtutjeshme turke dhe promovimin e produkteve vendore me përmasa të mëdha në ngritjen e sektorit farmaceutik dhe në përgjithësi medicinal, ku Turqia merr një rol të rëndësishëm në rajon, dhe përmes masave mbrojtëse arrin rezultate pozitive dhe rritjet e prodhimit dhe shitjes farmaceutike në Turqi arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Sipas një studimi të botuar nga shoqata farmaceutike e Turqisë3 analiza e periudhës gjashtëvjeçare, 2010-2016, tregon se tregu farmaceutik u rrit me 55%, dhe u  zvogëluan ndjeshëm importet farmaceutike nga vende të huaja. Përveç kësaj, eksportet shënuan rritje dhe Turqia jo vetëm që furnizonte tregun e brendshëm, por synonte dhe me sukses depërtoi edhe në tregun regjional dhe global.

Faktorët tjerë të rëndësishëm që kanë kontribuar në çështjen aktuale tregtare dhe inflacionit të Lirës, nuk mund të anashkalohen edhe;

  • Ofensiva ushtarake kundër forcave Kurde në Siri
  • Marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Iranin, Katarin
  • Arrestimi i pastorit amerikan, Andrew Bronson

Me ofensivën ushtarake në Siri, Turqia u përfshi në konfliktin edhe ashtu të komplikuar në Siri, duke vënë në rrezik sigurinë e forcave të armatosura Amerikane gjatë ofensivës në qytetin Afrin, e cila shkaktoi humbje të mëdha të të forcave kurde dhe krijoj një konfuzion të paparë në gjeopolitikën moderne, midis dy aleatëve të NATO-s, dhe shteteve mike. Pas grusht shtetit të dështuar në Turqi, Erdogani forcoi pozitën e tij udhëheqëse dhe bëri hap tjetër të çuditshëm gjeostrategjik duke iniciuar marrëveshjen ushtarake për blerjen së sistemit antiraketor rus dhe vazhdimin e  marrëdhënieve bilaterale, tregtare dhe diplomatike me Iranin dhe Katarin, pavarësisht kërkesave nga Administrata Amerikane që e cilëson regjimin e Iranit dhe Katarit si sponsor kryesor të rrjeteve terroriste në lindjen e mesme.

Për ta ndërlikuar çështjen më tutje Turqia arreston edhe një prift amerikan (Andrew Bronson) të cilin e akuzon për spiunazh dhe rol aktiv në grusht shtetin e vitit 2015, për ta përdorur si karrem-shkëmbimi me Amerikën në këmbim të armikut numër një të Erdoganit, Fetullah  Gylen, dhe për ta vulosur marrëdhënien e acaruar në mes të ShBA-së dhe Turqisë.

Rënia graduale e Lirës vërehet menjëherë pas dekretit dhe implementimit  të taksave në importin e mallrave turke, kryesisht të çelikut dhe aluminit, kjo manifestohet me inflacion të monedhës dhe si rrjedhojë për ta thelluar krizën monetare investitorët e huaj fillojnë të ndalin investimet dhe kreditimin,  pasi që në rastet e krizave monetare nacionale,  investitorët druajnë se do humbasin investimet e tyre dhe norma e kthimit do jetë më e vogël se ajo e investimit fillestar.

Në anën tjetër, Qeveria turke dhe investimet e saj kryesisht të drejtuara në infrastrukturë, ndërtesa dhe në projektin megaloman të aeroportit më të madh botëror, kanë pësuar goditje. Ndërtimet dhe infrastruktura ndjeshëm kanë stagnuar, përderisa çështja e rënies së lirës dhe ngritjes së tarifave nga ShBA-ja i mundësojnë  Erdoganit që të fajësojë për problemet ekonomike të vendit të tij ekskluzivisht Amerikën, dhe shtetet Perëndimore, e në anën tjetër ta maskojë ngecjen ekonomike dhe indiferencën e qeverisjes së tij në këtë drejtim, prandaj edhe hipotetikisht, lirimi i Pastorit të akuzuar nuk do riparojë dëmet e shkaktuara të një qeverisje populiste.

E fundit, por jo për nga rëndësia, me vendimin  e Paypal-it për ndalimin  e operimit në Turqi, shumë individë dhe biznese kanë kthyer fokusin te kriptovalutat, më saktësisht bitcoin, jo vetëm për çështjet të transaksionit ndërkombëtar, por edhe çmimit aktual të volitshëm pas disa luhatjeve të mëdha të bitcoin-it, që nga dhjetori i vitit 2017. Si duket shumë shtetas turq kanë gjetur mënyrën e përsosur për ta vazhduar jetën e përditshme me sfidat dhe skenarët e paparashikueshëm të presidentit tyre, të cilin shumica e popullatës shpresojnë dhe besojnë që nuk do ec në rrugën e kolegut të tij nga Venezuela, Nicolas Maduro.

(Autori është konsulent Marketingu, njohës dhe studiues i trendeve globale monetare | Shkrimi është botuar në medium.com në gjuhën angleze dhe me të drejta autoriale ribotohet në
ekonomiaonline.com në gjuhën shqipe)

*Falënderim të veçantë për kontributin në kolumne, auditorit të Përgjithshëm, Arben Selimi.

Të ngjashme