Inflacioni, kriza energjetike e mungesa e investimeve kapitale – shqetësuese për ekonomistët

Prishtinë | 07 Gus 2022 | 09:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e investimeve kapitale, kriza energjetike e rritja e çmimeve, mbeten çështje që duhen adresuar sipas ekspertëve të ekonomisë, raporton Ekonomia Online.


Viti 2022, përveç që konsiderohet i brishtë për ekonominë kosovare, shqetësuese për ekonomistët është edhe ulja e investimeve kapitale
Profesori universitar, Safet Gërxhaliu, thotë për Ekonomia Online, se Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë partneritet të mirëfilltë publiko-privat.


Dëm i madh të ekonomisë, thotë Gërxhaliu i është bërë edhe me mungesën e Bordit të OSHP-së.


“Për faktin se në këtë periudhë shtatë mujore kemi vetëm 10 për qind të shfrytëzimi të buxhetit për investime kapitale është shqetësimi më i madh. E them këtë bazuar në faktin se kjo dëshmon se mungon partneriteti i mirëfilltë publiko-privat, dëshmon një ngulfatje e sektorit privat por mbi të gjitha sot Kosova ka nevojë për investime në çdo pore, ka shumë projekte të papërfunduara, ka shumë projekte të cilat nuk janë të prioritizuara me vet faktin që kohë të gjatë nuk e kemi pasur bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës. E them këtë bazuar në faktin tjetër se sot e kemi një inflacion që është afër 15 për qind dhe devinitivisht paraja e pashfrytëzuar degradohet dhe devalvohet, prandaj besoj se ka nevojë të mbështetet sektori privat”, ka thënë Gërxhaliu.


Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, po kërkon që të shtohen projeket që financohen nga Qeveria, në mënyrë që të rritet konsumi dhe afarizmi i kompanive vendëse.


“Duhet të ketë më shumë hapje të projekteve të cilat do të financohen nga Qeveria por duhet të jenë të implementuar nga sektori privat. Vetëm në këtë mënyrë mund të rritet konsumi, mund të rritet afarizmi i kompanive dhe në të njëjtën kohë mund të hapet një perspektivë e re për të punësuar apo për të krijuar vende të reja të punës. Prandaj besoj që është koha kur duhet vërtetë borde të kompletuara, të ketë sundim të ligjit dhe nuk duhet që qeveritarët të kenë frikë kur nënshkruajnë projekte bazuar në përvojën e kaluar, pra është koha që sektori privat të ecë më tepër, sepse buxheti krijohet nga sektori privat dhe kështu duhet të ketë një dorë më të lirë të pushtetit përballë projekteve kapitale”, thotë Gërxhaliu.


E njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, thotë për Ekonomia Online se përkundër faktit se rritja e inflacionit është global, në Kosovë vërehet më shumë pasi Kosova është e varur nga importi.


“Duke e marrë parasysh situatën e inflacionit i cili është i lartë dhe është global dhe si e tillë është më e ndishme tek ne sepse e kemi një ekonomi më e brishtë dhe është e varur nga importi dhe më shumë konsumuese sesa prodhuese, atëherë kjo është e ndishme dhe dëmi do të jetë nëse do të vazhdohet më tutje sepse pasojat do të vërehen më vonë, pra proceset ekonomike duhet të ecin përpara dhe të shfrytëzohen dhe të investohen më shumë në investime kapitale sepse ekonomia rritet dhe zhvillohet vetëm në rriten investimet kapitale, pra këto investime publike e zhvillojnë shtetin”, u shpreh Bellaqa.


Për të ulur sado pak inflacionin, Bellaqa thotë se duhet të ketë investime në infrastrukturë e në energji, pasi thotë se për të fundit parashihet të jetë dimër i vështirë.


“Investime duhet të ketë në infrastrukturë, në energji ku shumë vende të botës luftojnë ta kenë energji më shumë, tek ne duhet të luftohet gjithashtu. Në prag të vitit të ardhshëm parashihet të jetë dimër i vështirë, të ketë rritje të tarifave të energjisë, andaj duhet që të investohet në këtë aspekt, pra duhet të ketë një zgjidhje afatmesme dhe afatgjate sepse ne kemi resurse natyrore”, thotë Bellaqa.

Të ngjashme