Investimet në infrastrukturën e cilësisë në vend janë të domosdoshme për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit privat në vend si dhe për të lehtësuar qasjen e produkteve kosovare në vende të tjera, në veçanti në shtetet e Bashkimit Evropian. Kjo u tha sot në tryezën e radhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e titulluar “Infrastruktura e Cilësisë: Sigurimi i Rritjes Ekonomike të Qëndrueshme”.
Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, përmendi zhvillimet e fundit që Minsitrija që ai drejton ka bërë në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës së cilësisë në Kosovë, mes tyre disa projekte të cilat ofrojnë asistencë teknike për prodhuesit vendorë.
Ai sqaroi se përkrahja që Banka Botërore po i jep kësaj ministrie në fushën e infrastrukturës së cilësisë është tejet e rëndësishme, si një hap që do të ndihmojë bizneset kosovare të kenë një qasje më të lehtë në tregun ndërkombëtar.
Mes të tjerash, Ministri Hasani përmendi edhe idenë për krijimin e zonës ekonomike amerikane, si një iniciativë që mund të ndihmojë në nxitjen e investimeve amerikane në vend, dhe rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik në Kosovës.
Blerta Qerimi, Specialiste e Zhvillimit të Sektorit Privat nga Banka Botërore, tha se një ndër pengesat kryesore që bizneset hasin në treg është mosnjohja dhe mungesa e akredimit të produkteve të tyre.
Ajo i njoftoi pjesëmarrësit me iniciativën e Bankës Botërore, gjegjësisht projektin mbi Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë në Eksport, ku përmes tij synohet të arrihet ulja e kostove të mëdha të bizneseve në testimin e produkteve të tyre.
Ajo poashtu njoftoi se funksionimi i infrastrukturës së cilësisë varet drejtëpërdrejtë nga stafi i kualifikuar. Qerimi njoftoi bizneset e pranishme se Banka Botërore do të ndihmojë prodhuesit në certifikimin e produkteve të tyre edhe përmes skemave mbështetëse.
Visar Hapçiu, Udhëheqës i Institutit të Hulumtimeve Ekonomike në Odën Amerikane, paraqiti statistikat e tregtisë së jashtme gjatë viteve të fundit në Kosovë, ku shqetësues mbetet deficiti i lartë tregtar.
Ai sqaroi se vlera e eksporteve mbetet shumë e vogël, edhe pse viteve të fundit është parë një trend pozitiv në eksportin e produkteve me vlerë të lartë të shtuar, gjë që shton rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës së cilësisë.
Hapçiu sqaroi se Kosova ballafaqohet me deficit të lartë tregtar edhe sa i përket tregtisë mes shteteve të CEFTA, kjo edhe si mungesë e politikave favorizuese për prodhues pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Gurakuq Kastrati, Udhëheqës i Divizionit të Infrastrukturës së Cilësisë mbrenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha se së fundi ka pasur zhvillime pozitive në hartimin dhe aprovimin e legjislacionit në fushën e infrastrukturës së cilësisë, duke vënë theksin në rëndësinë që ky process ka për biznese.
Megjithatë, ai përmendi si shqetësues mungesën e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë, duke potencuar rëndësinë që të investohet në ndërtimin e këtyre kapaciteteve në të ardhme.
Në vazhdim, pjesëmarrësit në këtë tryezë patën mundësinë të shfaqin pikëpamjet e tyre mbi këtë temë, duke u dakorduar për rëndësinë që zhvillimi i infrastrukturës së cilësisë mund të ketë për industrinë vendore.