Qytetarët e Kosovës po e kërcënojnë lirinë e tyre duke blerë produkte serbe, thotë Burim Piraj, pronari i kompanisë “Meka”.
Prandaj, ai ka nis një fushatë vetëdijesuese në rrjetin social “Facebook”, për bojkotimin e prodhimeve serbe, raporton Ekonomia Online.
Grupi në Facebook “Mos blini produkte serbe”, vetëm pak ditë ka mbledhur 2 mijë e 500 qytetarë të Kosovës.
Piraj tha për Ekonomia Online se këtë grup nuk do të ekspozohen produktet vendore, që të mos keqkuptohet qëllimi i kësaj iniciative.
“Duke i parë rrethanat shoqërore dhe politike në vendin tonë dhe duke e parë situatën sesi është zhvilluar me situata me tabela provuese për palën serbe dhe me reagimin e Qeverisë serbe. Unë si qytetarë i Kosovës kam marr një nismë që përfundimisht ta vetëdijesojmë popullatën për mos blerje të produkteve serbe. E kam krijuar një grup në Facebook ‘Mos blini produkte serbe dhe në atë grup për një kohë shumë të shkurtë janë bashkëngjitë diku 2 500 qytetarë të Kosovës dhe e kanë përkrah idenë. Ideja është që jo si biznes por si qytetar ta vetëdijesojmë qytetarët që të mos blihen produktet serbe. Fillimisht ka pasë ide që krahas produkteve serbe të promovohen produktet vendore, mirëpo që të mos keqkuptohet fushata, e kemi ndërprerë promovimin e produkteve kosovare dhe e kemi lënë për dikë tjetër që të merret me këtë. Ne me blerjen serbe po e fuqizojmë ekonominë e Serbisë, dhe mandej po furnizohen me armatim. Ai armatim po janë kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë, prandaj ne duhet të vetëdijesohemi që mos ta paguajmë shtrenjtë lirinë tonë”.
Pas situatës në veri, ku pikat kufitarë mbetën të bllokuara për shkak të vendosjes së reciprociteti të targave nga Qeveria e Kosovës; Piraj thotë se është e nevojshme që të vetdijësohemi se çdo blerje e produkteve serbe ndikon në fuqizimin e Serbisë ekonomikisht dhe ushtarakisht.
“Fillimisht është fushatë në internet, pastaj do të bëjmë grup punues, do të bëjmë mbështetje të qytetarëve, kryesisht të qeverisë civile. Nuk do t’i kyçim bizneset ashtu qe ndërmjet veti të mos kenë kontradikta dhe të mos prishen raportet, ndoshta ndonjë biznes importon nga Serbia e ndonjë jo. Do të kemi fushatë të qeverisë civile, e cila do t’i ftojë edhe Qeverinë e Kosovës edhe Bashkësitë fetare që gradualisht të vetëdijesohen për mos konsumimin e produkteve serbe”.
Sipas tij, kjo nismë nuk do të ndalet më kaq. Piraj do të kërkojë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që një orë mësimorë t’iu kushtohet vetëdijesimit të nxënësve për produktet serbe.
Përveç kësaj, ai thotë se Bashkësia Islame e Kosovës duhet që një ligjëratë gjatë të premteve, t’ia kushtoj kësaj çështje.
“Pasi ta bëjmë grupin punues, do të kontaktojë më BIK dhe MASHTI që në të gjithë territorin e Kosovës një orë mësimore t’i kushtohet vetëdijesimit të nxënësve pse nuk duhet të blihen produktet e Serbisë. Po ashtu edhe BIK që ligjëratën e xhumas t’ia kushtoj që të mos blihen prodhimet serbe. Ne për 20 vjet kemi menduar që nuk do t’i blejmë, dhe këto vetëm sa janë shtuar. Ata kanë qëllime të këqija, pse ta kërcënojmë lirinë tonë me paranë tonë. Nuk do të ndalemi derisa në Kosovë të mos konsumohen produktet serbe”.
Tutje, Piraj thotë se nuk do të kërkojë ndihmë financiare nga askush.
“Financim nuk kërkojmë nga askush. Unë si qytetarë i Kosovës, do ta vet financoj, nuk kërkojë nga asnjë institucione ose individ. Të gjithë ata që do të na bashkëngjiten duhet ta dinë se është një fushatë që ka rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e paqes, sigurisë e stabilitetit të shtetit tonë”.