Ka marrë start procesi i vendimmarrjes për themelimin e ushtrisë. Nga e premtja, Ministria e Forcës së Sigurisë e ka vënë në diskutim publik Projektligjin për Forcat e Armatosura (FAK) dhe i ka dhënë tri javë kohë publikut për të ofruar propozime konkrete rreth përmbajtjes.
Dokumenti mban titullin “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës”, shkruan sot Koha Ditore.
Nëpërmjet tij, parashihet të ndryshohen 45 ligje në fuqi. Ndërhyrjet më të mëdha janë paraparë në Ligjin për Forcën e Sigurisë (FSK), atë për Ministrinë për FSK, pastaj në Ligjin për shërbimin në FSK e të tjera.
Ndërkaq, në një dokument përcjellës theksohet se ndryshimet ligjore nuk do të bëhen para atyre kushtetuese.
“Miratimit të këtij Projektligji do t’i paraprijnë ndryshimet përkatëse kushtetuese”, thuhet në dokumentin e konsultimit për këtë Projektligj.
Autoritetet kosovare nuk e kanë mbështetjen ndërkombëtare për ta themeluar ushtrinë, pa i bërë ndryshimet kushtetuese, e të cilat varen nga vota e serbëve.