Policia kufitare ka iniciuar një rast për kontrabandë me mallra. Të dyshuarit gjenden në arrati.
Sipas Policisë, në Gorozhub të Prizrenit është lokalizuar një kamion me targa të Republikës së Shqipërisë, i cili kishte të ngarkuara mallra komerciale dhe kishte shfrytëzuar rrugë ilegale për kontrabandë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Me datën 29.07.2025, rreth orës 04:00, zyrtarët policorë nga “Task Forca” e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi”-Gjakovë, gjatë realizimit të planeve, aktiviteteve dhe angazhimit në teren, në pjesën e Gorozhubit të Prizrenit, në një zonë të thellë malore në kufirin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë, e kanë lokalizuar një kamion me targa të Republikës se Shqipërisë. Kamioni kishte të ngarkuar mallra komerciale dhe e kishte shfrytëzuar rrugën ilegale për kontrabandë jashtë pikave të autorizuara kufitare”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se njësitet relevante policore janë marrë me rastin dhe është duke punuar që të identifikohet i dyshuari/ të dyshuarit të cilët për momentin janë në arrati.
“Është komunikuar me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe është hapur rasti për ‘kontrabanda me mallra”, thuhet në njoftim.