Disa vjet më parë pati një përpjekje mes Shqipërisë dhe Kosovës për ta regjistruar lahutën si vegël muzikore në UNESCO, si pasuri të trashëgimisë kulturore.
Por, kërkesa nuk u paraqit sepse Kosova u pengua të bëhej anëtare e UNESCO-s, pasi Serbia regjistroi lahutën në UNESCO si trashëgimi të saj.
E ky veprim ngjalli shumë pakënaqësi tek populli shqiptar.
Për të riinincuar certifikimin e lahutës, okarinës dhe këngëve kreshnike, qendra për zhvillim dhe promovim të kulturës tradicionale “Shkabat”, ka iniciuar një peticion për certifikimin e tyre në UNESCO.
Themeluesi i kësaj qendre Sokol Plakolli, gjatë një prononcimi për Ekonomia Online thotë se peticioni është hapur dhe ka filluar të nënshkruhet, ndërsa në netët në vazhdim do të bëhet edhe nënshkrimi i aktit themelues i shoqatës së lahutarëve.
“Lahutën dhe këngët e krahut do t’i certifikojmë dhe do të bëjmë peticion për certifikimin e tyre në UNESCO. Peticioni është hapur mbrëmë dhe ka filluar të nënshkruhet ndërsa sot në natën e dytë do të bëjmë nënshkrimin e aktit themelues të shoqatës së lahutarëve të trojeve etnike”, thotë ai.
Plakolli shtoi se me anë të këtij peticioni do të kërkojnë nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës që të riinicohet ky certifikim në UNESCO.
“Në UNESCO nuk mund ta procedojmë ne si individ, as si grup shoqatë. Por ne do t’i bëjmë apel Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës që të riinicojnë certifikimin e lahutës të okarinës dhe këngëve kreshnike në UNESCO si një fenomen i cili i takon enkas shqiptarëve në Ballkan, dhe kjo është një padrejtësi që iu është bërë lahutës”, thotë ai.
Lahutari nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj thotë për EkonomiaOnline, se lahuta është e vjetër sa vetë Kelmendi, para se të bëhej vendbanim.
Thotë se ky instrument muzikor është trashëguar brez pas brezi dhe se i takon popullit shqiptar.
“E vërteta se unë që 10 vjeç i kam ra lahutës dhe e kemi si trashëgimi familjare, sepse gjyshi i babës , baba dhe unë jemi tre breza që i kemi ra lahutës dhe i kemi kënduar.
Lahuta është aq e moçme sa vetë Kelmendi kur është bërë vendbanim dhe vlefshmëria e lahutës në Malësinë e madhe dhe në trojet shqiptare veriore është jashtëzakonisht e hershme”.
Delaj shtoi se edhe shqiptarët janë ndër ata popuj që kanë ruajtur traditën e tyre si gjithë popujt e tyre të Evropës.
“Kjo është një vegël tradicionale dhe duke u mbështetur si gjithë popujt e Evropës dhe botës e ruajnë folklorin e tyre si pasuri shpirtërore të tyre dhe pra edhe ne jemi pjesë e kësaj ndershmërie. Lahuta ka vajtuar dhe u ka kënduar trimave që kanë rënë në luftë nga pushtuesit e huaj”, thotë ai.
Lahuta është një instrument, i cili ka një shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët edhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart).
Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, sipas studiuesve, do të thotë që është një instrument që i takon një familje të përbashkët.