Injorimi i mediave nga pushteti aktual është kauzë, dhe nuk vjen realisht prej ndonjë dyshimi, siç e thonë. Kjo kauzë është investim në idenë se ka përpjekje të organizuar kundër zhvillimit që bartë partia-shtet.
Dy janë qëllimet si më kryesore pse partia-shtet nuk del nëpër emisione për ballafaqim e llogaridhënie: largimi i fuqisë ndikuese opinionit publik dhe lidhja direkte me qytetarët, pa ndërmjetësim.
Prej fillimit, me paramendim kanë shmangur mediat meqë nuk kanë dashtë që (mos)puna e tyre dhe proceset politike me iu nënshtru asnjë lloj interpretimi përveç atij zyrtar.
Kanë sulmuar mediat si armike, jo pse besojnë ashtu, por qe votuesi i tyre mos me u ndiku prej opinionit publik, prej shumësisë së mendime dhe debatit. Kjo është edhe mënyrë me i mbajtë njerëzit e tyre të mobilizuar. Veç në gjendje gatishmërie permanente nuk guxon me dyshu, as vetë me vete.
Kështu, si dy paralele kanë vazhduar të paprekura, në njërën anë mediat, shoqëria civile dhe opozitarizmi i PSD-së dhe në tjetrën anë qeverisa me versionin e saj. Kjo është ndarja që ky pushtet ka vazhdu me e thellu, mes ne dhe ata, si mbulim për dallimet sociale, ekonomike. Kështu ai që viziton spitalin publik dhe tjetri që shkon në privat bashkohen nën ombrellën populliste të partisë shtet, sepse “armiku nuk flen”.
Këta e kanë veç një paranojë, se mos po ua merr kush pushtetin. Dhe sa ma shumë që marrin terren, paranoja shkon duke u rritë. Nuk ngopen.