Kërkesa e Perëndimit për eliminimin e pengesave në dialog nuk ia ka ndryshuar qëndrimet lidershipit në Kosovë dhe atij në Serbi.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, Quinti, të cilin e përbëjnë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, Prishtinës i ka kërkuar heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë, ndërkaq kësaj të fundit ndërprerjen e fushatës për anulimin e njohjeve kundër Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, është pajtuar me domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut, por, sipas tij, kjo duhet të bëhet pa kushte dhe vonesa. Në anën tjetër, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, e ka bërë të qartë se nuk do të ndalen së lobuari për t’ia anuluar Kosovës njohjet.
Tri ditë pas deklaratës së Quintit ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj. Nuk ka dhënë sinjale se do ta eliminojë pengesën në dialog, që sipas Quintit është taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia. Ka thënë se dialogu me fqinjin verior duhet të zhvillohet pa kushte dhe shtyrje të mëtutjeshme, e në fund të ndodhë njohja reciproke në kufijtë ekzistues.
“Pajtohem për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria ia ka prezantuar Quintit dhe Bashkimit Evropian draftmarrëveshjen gjithëpërfshirëse ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. E ritheksoj, dialogu pa kushte, pa shtyrje”, ka shkruar Haradinaj në “Twitter”.
Taksa e vendosur nëntorin e vitit të kaluar bllokoi dialogun, pasi Serbia refuzoi të kthehet në tryezën e negociatave përderisa nuk hiqet kjo masë. Me gjithë presionin ndërkombëtar, kryeministri në dorëheqje Haradinaj ka kushtëzuar heqjen e taksës me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.