Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, dhe Mërgim Cahani, drejtori Ekzekutiv i “Gjirafa”, kanë mbajtur konferencën gjatë të cilës u fol për rastin e nisjes së partneritetit të ri për zhvillimin e ekonomisë së internetit.
Në këtë konferencë u tha se inovacioni është shtytës i zhvillimit ekonomik të vendit.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se gjëja më e jashtëzakonshme gjatë shërbimit të tij në Kosovë është kur i sheh çdo ditë inovacionet e ndërmarrësve kosovarë, si dhe përkushtimin e shumë njerëzve për ta shtyrë përpara zhvillimin ekonomik.
“Gjatë asistencës tonë zhvillimore ne flasim shumë për kapitalin njerëzor, për zhvillimin dhe edukimin e fuqisë punëtore dhe për nevojën për t’i rritur gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve të Kosovës. Megjithatë kjo varet nga ajo që përfituesit e investimeve tona i kthejnë ato prej përfitimeve individuale në të mirën e përgjithshme, duke kaluar prej përfituesve në prijës. Më duket shumë e përshtatshme që të përmend një thënie të Stiv Gjops, ’Inovacioni bënë dallimin ndërmjet prijësit dhe përcjellësit’ dhe mendoj se Gjirafa ka qenë nga fillimi prijëse dhe përcjellëse”, tha ai.
Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se kompanitë inovative si “Gjirafa” do t’i prijnë përpara zhvillimit ekonomik të shtetit.
“Dëshiroj të theksoj se çfarë shembulli të shkëlqyeshëm për zhvillim të qëndrueshëm paraqet Gjirafa dhe çfarë shembulli për zhvillimin privat dhe publik. Çka filloi si një investim i vogël me një server dhe një pajisje tjetër, këtu u zhvillua një biznes, kompani e internetit, e cila do t’i prijë përpara zhvillimit ekonomik. Gjirafa është zhvilluar prej një përfituesi të ndihmës së qeverisë amerikane në një partner të qeverisë amerikane dhe të USAID-it në shtyrjen përpara të zhvillimit ekonomik”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Mërgim Cahani, tha se ky është një moment vendimtar dhe “duke punuar së bashku mund t’i çojmë gjërat përpara”.
“Gjithçka filloi kur isha student në Amerikë, atje kisha mundësinë të bëja online gjithçka që nuk mund të bëja fizikisht. Në Kosovë edhe sot interneti përdoret për gjëra të thjeshta, të gjithë e dini që interneti këtu përdoret për gjëra të thjeshta, për Facebook, Youtube dhe Chats , nuk përdoret për edhe çka është i destinuar të përdoret. Pra nuk përdoret për zhvillim ekonomik, dhe kjo ishte ideja që më erdhi të filloj këtu me këtë kompaninë”, tha ai.