INPO: Gjysma e qytetarëve të Ferizajt të pakënaqur me punën e kryetarit

| 04 Gus 2017 | 16:33 | Nga

Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar raportin e Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Ferizaj, si dhe punën e kryetarit Muharrem Svarqa, Kuvendit Komunal dhe të drejtorive komunale.

Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen nga komuna bazuar në kompetenca vetanake. Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërsië së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e kryetarit, Kuvendit Komunal dhe drejtorive komunale.

Të dhënat e dala nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit maj 2017, në zonat urbane dhe rurale të Ferizajt.

Të dhënat tregojnë se cilësia e arsimit së bashku me infrastrukturën shkollore, shërbimet shëndetësore, planifikimi urban dhe rural, mungesa e parkingjeve publike, trotuareve, hapësirave gjelbëruese, mirëmbajtjes së rrugëve, aktiviteteve sportive dhe rionre, dominojnë në listën e pakënaqësive të qytetarëve. Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale, ndërsa më shumë së gjysma e qytetarëve të komunës janë të pakënaqur me punën e kryetarit.

Ndërsa, shërbimet të cilat janë vlerësuar të kënaqshme nga qytetarët përfshijnë shërbimet administrative; transportin publik; ndriçimin publik; numrin e parqeve dhe shesheve; ujin e pijshëm; grumbullimin e mbeturinave; kanalizimi dhe aktivitetet kulturore të organizuara nga komuna.

Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale në Ferizaj është 43.72%, ndërsa e pakënaqshmërisë 47.24%.

Rezultatet e këtij raporti u prezantuan në prani të eksponentëve të ndryshëm nga qeverisja komunale, përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, shoqërisë civile dhe medieve, të cilët vlerësuan lartë punën e organizatës INPO.

Drejtori i Departamentit të Performancës dhe Transparencës Komunale në kundër MAPL-së, Avni Sahiti, vlerësoi se rezultatet e Indeksit të INPO-s janë reale dhe të përafërta me rezultatet e raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, të cilin e harton MAPL në baza vjetore, në kuadër të sistemit të menaxhimit të performancës komunale. Ai i shpreh se ky raport do t’i ndihmoj komunës së Ferizajt por edhe MAPL-së, që të orientojë dhe planifikojë politikat investive karshi nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve në mënyrë që të rritet performanca e komunës dhe rrjedhimisht të ngrihet cilësia e shërbimeve të ofruara.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se INPO është një organizatë kredibile dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në ngritjen e cilësisë së qeverisjes komunale.

“Unë gjithnjë jam treguar i gatshëm të bashkëpunoj dhe të pranoj gjetjet e punës së tyre pavarësisht kritikave që kanë në raport me punën e komunës”, theksoi ai. Ai u zotua, se ky dokument do të zë vend të rëndësishëm në takimet planifikuese të drejtorive dhe komunës në përgjithësi, pasi përbëjnë bazë të mirë për prioritizimin e politikave të reja dhe investimeve specifike në fusha prioritare.

“Jam i interesuar, që si komunë, t’i analizojmë një për një të gjitha rezultatet dhe vlerësimet e Indeksit, me qëllim që t’i adresojmë në mënyrën sa më të mirë”, tha ai.

Ndërsa, Faruk Guri, kryesues i Kuvendit Komunal të Ferizajt, tha se INPO ka bërë një punë të shkëlqyer por vlerësoj së perceptimi qytetar nuk është real. “Investimet të cilat i kemi bërë dhe punën konkrete në terren, sidomos në infrastrukturë, nuk po vlerësohen nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai. “Jam i befasuar me këto rezultate” shtoi ai.

Drejtorja Ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, tha që INPO synon këtë Indeks ta realizojë në vazhdimësi, në mënyrë që të kenë të dhëna reale të kënaqshmërisë me performancën e komunës, rezultatet e së cilit do të ndikonin në prioritizimin e investimeve dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale.

Ky hulumtim është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).

Të ngjashme