INPO: Komuna e Ferizajt shpall konkurs jotransparent

Ferizaj | 01 Mar 2017 | 10:52 | Nga

Organizata INPO si rezultat i monitorimit sistematik të punës së Komunës së Ferizajt, ka gjetur se kjo Komunë ka shpallur konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta për së paku pesë (5) pozita në kundërshtim me ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës dhe akteve tjera nënligjore.

Pozitat e shpallura përmes këtij konkursi janë për dy (2) zyrtarë të prokurimit, një (1) zyrtar i personelit, një (1) zyrtar financiar, një (1) zyrtar administrativ dhe një (1) inxhinier i komunikacionit, pozita të cilat konsiderohen të rregullta brenda shërbimit civil dhe skemës organizative të departamenteve komunale, që kryejnë punë administrative dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ofrojnë shërbime të veçanta përmes angazhimit së tyre.

Ligji për Nr.03/L-149, për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili rregullon statusin dhe marrëdhënien e punës së nëpunësve civil në institucionet e administratës qendrore dhe komunale, në nenin 11 të tij ka saktësuar dy kategori të të punësuarve: pozitat e nëpunësve civil të karrierës, të cilët ushtrojnë funksionet në baza të përhershme për arritjen e objektivave institucionale dhe pozitat e nëpunësve civil jo të karrierës të cilët ushtrojnë funksionet më kohëzgjatje të kufizuar deri në dy vjet, për zbatimin e projekteve të caktuara, zëvendësimin e nëpunësve të përhershëm civil dhe në raste të mbingarkesës në punë.

Kësisoj, pozitat e përshkruara në konkurs do të duhej të specifikoheshin në njërën nga këto dy kategori nëpunësish dhe assesi të shpallen si pozita për kryerjen e shërbimeve të veçanta. Pavarësisht kësaj, konkursi nuk e ka bazën adekuate ligjore për zhvillimin e procedurës së rekrutimit pasi Rregullorja nr.02/2010 për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, neni 4, përjashton nga fushëveprimi i saj rekrutimin dhe plotësimin e pozitave në bazë të kontratave për shërbime të veçanta, pasi ato duhet të rregullohen me rregullore të veçantë.

Gjithashtu, për të gjitha pozitat e shpallura i vetmi kriter i kërkuar është diploma universitare, pa specifikuar natyrën e shkollimit përkitazi për pozitën e punës dhe parregullsi të tjera elementare, e deri të kufizimi në pesë (5) ditë i kohëzgjatjes së konkursit, i cili është publikuar vetëm në tabelën e shpalljeve në hyrje të objektit të komunës së Ferizajt.

INPO ngritë shqetësimin për shkeljet ligjore që e përshkojnë këtë konkurs dhe procesin e rekrutimit të punonjësve për këto pozita. Fakti se për pozita të rregullta të shërbimit civil është shpallur konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta për INPO-n është indikativi se ky konkurs është i montuar për të rehatuar persona të caktuar.

Për më tepër, ky konkurs në mënyrën se si është shpallur pa transparencë dhe në kundërshtim me ligjin, assesi nuk i kontribuon ngritjes së performancës institucionale të komunës. Në këtë drejtim, INPO kërkon nga kryetari i komunës, që ta rishqyrtojë vendimin për këtë konkurs dhe sigurojë së burimet njerëzore që janë të punësuar në komunë janë të mjaftueshme për të kryer aktivitete operative të komunës.

Gjithashtu, rekomandohet të shqyrtojë mundësinë e shtimit të punonjësve të karrierës përmes planit individual të personelit, duke krijuar kushte të barabarta të punësimit për të gjithë qytetarët e komunës sipas ligjit dhe praktikave demokratike. INPO i rikujton kryetarit të komunës, se sipas raportit të fundit të auditorit të përgjithshëm, komuna e Ferizajt, për shërbime të veçanta kishte shpenzuar 87 mijë euro pa e pasur të qartë nevojën për kontaktimin e këtyre shërbimeve.
INPO kërkon përgjegjësi institucionale për këto shkelje dhe fton autoritetet kompetente të ndjekin për së afërmi zhvillimet rreth këtij konkursi të kundërligjshëm dhe jo transparent.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF)”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme