INPO: Komuna e Ferizajt tenton ta bëjë me pesë ditë lajmërim atë që se bëri për pesë vite

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

INPO shpreh shqetësim lidhur me tendencën e komunës së Ferizajt që zgjedhjet e kryetarëve të këshillave lokale t’i organizoj në mënyrë të ngutshme dhe jo transparente.

Komuna e Ferizajt në bazë të njoftimit të datës 31 Maj 2019, planifikon që përgjatë periudhës 05 Qershor 2019 deri më 23 Qershor 2019 t’i organizoj zgjedhjet e kryetarëve të këshillave lokale, proces ky që nuk është bërë për më shumë se katër vite. INPO vlerëson që përkundër rëndësisë së jashtëzakonshme që ka funksionalizimi i këshillave lokale, i barasvlershëm është edhe mos lëndimi i këtij procesi, respektivisht transparenca institucionale në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Fillimisht, INPO më 11 Tetor 2018 ka parashtruar kërkesë KJ2018/72 në drejtim të komunës, duke shprehur interesim për monitorimin e zgjedhjeve për kryetar të fshatrave dhe lagjeve urbane në komunën e Ferizajt, mirëpo nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me kërkesën në fjalë. Mbyllja, respektivisht jo transparenca lidhur me këtë proces na lë të besojmë se ky proces do të jetë i politizuar, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Po ashtu, mos prezenca e shoqërisë civile dhe shmangia nga kontributi monitorues i tyre, na siguron që nuk do të kemi informata se a janë plotësuar kriteret minimale të pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje, nuk do të kemi qasje në procesverbale, dhe rrjedhimisht këto zgjedhje nuk do të i plotësojnë kriteret minimale demokratike për transparencë dhe informim të duhur të qytetarëve.

Tendenca e komunës që zgjedhjet të organizohen pas një periudhe lajmërimi prej pesë ditësh është e papranueshme. Komuna do të duhej që këtë periudhë lajmërimi ta kishte së paku pesëmbëdhjetë ditë në mënyrë që të informohen sa më shumë qytetarë për këtë proces shumë të rëndësishëm për interesat e tyre. Ky konstatim gjen mbështetje duke ditur që lajmërimi për këtë proces është simbolik dhe se INPO në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për dobësitë e Zyrës për Informim.

INPO në vitin 2018 ka hartuar analizën “Roli i këshillave lokale dhe funksionimi i tyre në komunën e Ferizajt”, ku ndër rekomandimet kryesore kanë qenë (i) pjesëmarrje sa më e madhe e qytetarëve në procesin zgjedhor të këshillave lokale ku Zyra për Informim do të luante rol shumë të madh sesa roli aktual, dhe (ii) bashkëpunimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve të OJQ-ve në procesin e zgjedhjeve dhe informimit të qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për këshillat lokale.

Gjithashtu, komuna nuk ka pasur durim të pret hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ nr.01/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, të përpiluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili udhëzim pritet të hyn në fuqi brenda muajit Qershor. Udhëzimi në fjalë sjellë shumë rregullativa të reja lidhur me këtë çështje të cilat do të ndikonin në mirëfunksionimin e këshillave lokale, sidomos atë se kryetarët e këshillave parashihet të marrin kompensim nga komuna e cila vlerësohet si promotor i angazhimit të tyre. Vlerësojmë që komuna duhet të pres edhe pak ditë meqë ka pritur për këtë proces më shumë se katër vite, në mënyrë që këto zgjedhje të organizohen me udhëzim të ri.

Një proces i kontestuar i zgjedhjeve të këshillave lokale do të barte pasoja në gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këtë proces zgjedhor, besueshmërinë e qytetarëve ndaj të zgjedhurve që dalin nga ky proces, dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor dhe pjesëmarrjes së ekzekutivit të komunës në organizimin e zgjedhjeve të këshillave lokale.

Andaj, INPO u bënë thirrje organeve komunale që këto zgjedhje të jenë transparente dhe të hapura, të zgjatet afati për të paktën pesëmbëdhjetë ditë në mënyrë që të njoftohen sa më shumë qytetarë, ose në rastin më të mirë të pritet hyrja në fuqi e Udhëzimit Administrativ të ri, në mënyrë që këto zgjedhje të organizohen në harmoni me të.    

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme