INPO kritikon Agjencinë për Informim dhe Privatësi për zvarritje të shqyrtimit të ankesave, mesatarja e zgjidhjes së ankesave është 78%

Prishtinë | 10 Maj 2024 | 12:05 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar raportin “Agjencia për Informim dhe Privatësi nën llupën e INPO-s”, raporton Ekonomia Online.

Të gjeturat e këtij raporti të cilat rezultojnë të jenë se në këtë institucion ka zvarritje të shqyrtimit të ankesave sa i përket permbushjes së qasjes në dokumente publike, meqë sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike afati i paraparë për zgjidhjen e tyre është 30 ditë, ndërsa në praktikë sipas INPO-s, mesatarja e zgjidhjes së ankesave është 48 ditë. Tutje, përmes këtij raporti janë pasqyruar edhe të dhënat statistikore rreth shqyrtimit të ankesave si dhe mesatarja e zgjidhjes së tyre, të gjeturat e Raportit të Progresit për vitin 2023 për këtë institucioni si dhe institucionet publike të cilat nuk kanë raportuar rreth nivelit të përmbushjes së qasjes në dokumente publike.

Pjesë e këtij raporti janë edhe rastet e INPO-s me AIP, siç është rasti me Komunën e Kaçanikut si rezultat i mbylljes së ankesës për shkak të interpretimit të gabuar të afateve ligjore dhe rastet e INPO-s me Komunën e Gjilanit të cilat dëshmojnë në shqyrtim të ankesave me standarde të dyfishta apo jo-konsistente për të njëjtën çështje.

Valmir Ilazi, hulumtues në INPO, ka thënë se raporti është rezultat i monitorimit të punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), më konkretisht fushës së qasjes në dokumente publike.

“Kosova është ende duke u ballafaquar me sfida të shumta në këtë fushë. Mungesa e llogaridhënies së institucioneve publike karshi qytetarëve dhe publikut vazhdon të jetë pengesë e madhe në transparencë dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Andaj duke marrë parasysh që rritja e nivelit të qasjes në dokumente publike do të ndikojë në rritjen e llogaridhënies institucionale. Hulumtimi do të përqendrohet vetëm në rëndësinë e institucionit kryesor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi si përgjegjëse për mbikëqyrjen, zbatimin si dhe garantimin e të drejtës së qasjes në dokumente publike. Mungesa e transparencës nga institucionet publike krijon hapësirë rreth dyshimit për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Leorenta Alija, hulumtuese nga kjo organizatë, tha se kanë analizuar planin e performancës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ku në këtë plan janë përcaktuar objektiva të ndryshme për sigurimin qasjes në dokumente publike.

“Për të pasqyruar gjendjen aktuale në këtë institucion INPO ka analizuar edhe planin e performancës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ku në këtë plan janë përcaktuar objektiva të ndryshme për sigurimin qasjes në dokumente publike. Përmes këtij raporti kemi vlerësuar se një plan i mirë performancës bazuar në objektiva ‘smart’ do të mundësonte edhe vlerësimin më objektiv të punës vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi gjatë hartimit të tij”, ka thënë Alija.

Alija ka shtuar se Ligji për organizimin dhe funksionalizimin e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura obligon agjencitë e pavarura që çdo vit deri më datën 31 mars të vitit pasardhës të prezantojë raportin vjetor të performancës.

“Ligji për organizimin dhe funksionalizimin e administratës shtetërore dhe agjencitë e pavarura obligon agjencitë e pavarura, në këtë rast AIP-në, që çdo vit deri më datën 31 mars të vitit pasardhës të prezantojë raportin vjetor të performancës në një dëgjim publik me shoqërinë civile dhe publikun e gjerë. Ndërsa AIP këtë obligim ligjor ende nuk e ka përmubushur ku nuk e ka publikuar ende as raportin vjetor të punës për vitin 2023”, tha ajo.

Ajo foli për qëllimin e Ligjit për qasje në dokumente publike, ku përmes këtij Ligji garantohen të drejtat e secilit person pa diskriminim mbi çfarëdo baze për të pasur qase në dokumente publike.

“Raporti i progresit thekson se sistemi aktual për ofrimin e qasjes në dokumente publike nuk është duke u fokusuar mirë dhe kjo vjen si rezultat se AIP ka një buxhet të kufizuar dhe gjithashtu edhe burime të kufizuara njerëzore. Ankesat duhet të zgjidhen brenda një afati 30 ditor ndërsa sipas mesatares të cilën e kemi nxjerrur përmes këtij raporti është se përveç afatit 30 ditor që specifikohet në ligj në praktikë ndodh që afati ditor për zgjidhjen e një ankese merr 48 ditë”, tha Alija.

Alija ka treguar edhe se cilat institucione nuk kanë raportuar ose nuk i kanë përmbushur obligimet.

“Një pikë tjetër e rëndësishme është se institucionet duhet të raportojnë pranë AIP-së sa i përket përmbushjes së qasjes në dokumente publike. INPO ka identifikuar institucione të cilat nuk kanë raportuar pranë AIP-së rreth nivelit të zbatimit të qasjes në dokumente publike dhe ato janë: Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Agjencia Kadastrale e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Agjencia e Kosovës për Akreditim, Instituti i Historisë, Shërbimi Sprovues, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Komuna e Mamushës, Komuna e  Shtërpcës, Komuna e Leposaviqit dhe Komuna e Zubin Potokut”, ka shtuar ajo.

“INPO ka kërkuar ndihmën e AIP-së për ta përpiluar këtë raport dhe për të marrë të dhëna statistikore”, ka thënë ajo.

“Gjatë periudhës janar –dhjetor të vitit 2023 në AIP janë parashtruar 532 ankesa kundër kufizimit të qasjes në dokumente publike. Nga 532 ankesa AIP-ja ka arritur që të shqyrtojë 415 prej tyre. Ndërsa në proces të shqyrtimit janë 117 ankesa. Në këtë rast mesatarja e zgjidhjes së ankesave është 78%”, ka thënë ajo.

Në AIP është një numër shumë i vogël i zyrtarëve të cilët merren me zgjidhjen e  ankesave ka thënë mes tjerash ajo.

“Prej 532 ankesave 359 ankesa kanë rezultuar me vendime në favor të palës. Nga 415 ankesa të zgjidhura nga AIP janë shqiptuar 14 gjoba ndaj institucioneve me vlerë totale prej 47 mijë euro. Institucioni më i gjobitur është komuna e Fushë Kosovës me 10 gjoba, ndërsa komuna e Gjilanit, ajo e Shtëpcës , universiteti “Hasan Prishtina”, ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me një gjobë dhe kjo ka bërë që këto institucione në kundërshtim me parimet legjislative kanë kufizuar qasjen në dokumente publike”, ka thënë tutje Alija.

“Nëse i krahasojmë raportet vjetore të AIP-së përgjatë tre viteve kemi një rritje të numrit të ankesave kështu që për tri vite i kemi 1092 ankesa pranë AIP-së. Ky trend i rritjes së ankesave mund të vë në pah tre faktorë ndikues ku njëri nga faktorët flet për mbylljen e institucioneve publike ndaj të cilave është ushtruar kërkesë për qasje në dokumente publike të cilat qoftë me heqje ose me veprime administrative kanë refuzuar qasjen dhe dy faktorë të tjerë që janë ngritja e vetëdijes së palëve si dhe me rastin e funksionalizimit të plotë AIP-së me rastin e zgjedhjes së mënyrës kur ka më shumë ankesa të parashtruara”, ka thënë ajo.

Në këtë raport, INPO ka trajtuar edhe rastin e aktivistes Flutura Kusari rreth kërkesës së saj pranë AIP për de-klasifikim të dokumenteve në rastin e “Fondit të Sigurisë”. Për këtë rast ende nuk kemi një vendim përfundimtarë nga AIP përkundër që kanë kaluar 21 muaj nga protokollimi i saj, rast të cilin AIP në korrespodencat e zhvilluara me Thesarin e Kosovës ka konsideruar se “vendimi për klasifikimin e informatave nuk tregon se cilat nga bazat për klasifikim është aplikuar në rastin konkret”. INPO konsideron se kjo është një mundësi për AIP-në të dëshmojë pavarësinë e tij institucionale për mbikëqyrjen dhe zbatimin e qasjes në dokumente publike.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Të ngjashme