Initiative for Progress – INPO këtë të premte ka publikuar raportin “Performanca e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e prokurimit”, raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti, 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë përmbushur as gjysmën e aktiviteteve të planifikuara – 336 të përfunduara nga 935 sa ishin të planifikuara.
Drejtoresha ekzekutive e INPO-së, Albulena Nrecaj-Musliu dhe Arbër Kabashi, monitorues, thanë se ky raport është rezultat i monitorimit të Planeve Përfundimtare të Prokurimit të Ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit rreth përmbushjes së tyre, brenda një viti fiskal.
“Në bazë të monitorimit të 15 ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit, INPO ka raportuar edhe nga numri i aktivitete edhe nga vlera e tyre. Gjatë vitit 2023 janë 336 aktivitete te rezultuara në 489 kontrata. Në total nga 935 aktivitete të planifikuara, me vlerë 442 milionë euro, vetëm 336 janë realizuar”, deklaroi Kabashi.
Sipas raportit ministria e Arsimit ka planifikuar 57 aktivitete me 17 kontrata të nënshkruara të kthyer në përqindje si 29.82%.
Ndërkaq ministria e Bujqësisë kishte paraparë 43 aktivitete në vlerë prej 6.053.875.52euro, me gjithsej 25 kontrata te nënshkruara.
Një numër më të madh aktivitetesh të parashikuara gjatë 2023-tës, ishte ministria e financave, punës, dhe transfere me 71 gjithsej ku prej tyre u nënshkruan 46 prej tyre.
Ndërsa sa i përket Zyrës së Kryeministrit, për vitin 2022 kishin të paraparë 22 aktivitete. Në vlerë prej 918,583,00euro, prej tyre vetëm 17 të nënshkruara.
Sipas konkluzioneve të këtij raporti ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk i përmbahen planifikimit të prokurimit.
“Planet e prokurimit nuk reflektojnë nevojat reale, të furnizimit me artikuj, shërbime dhe punë, duke qenë se vetëm rreth 35% e aktiviteteve te planifikuara janë tenderuar”, tha Kabashi.
Tutje në raport thuhet se Qeveria e Republikës se Kosovës gjatë vitit 2023, dy herë ka ndryshuar dhe plotësuar listën e artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik.
Disa nga gjetjet e tjera:
– Ministria e Arsimit ka paraparë në planifikim të prokurimit aktivitete për ndërtimin e çerdheve nëpër Komuna, pa e definuar paraparakisht me Komunën përkatëse lokacionin e ndërtimit të çerdhes është pamundësuar inicimi i aktiviteteve të prokurimit për ndërtimin e çerdheve.
– Ministria e Mbrojtjes në raportin e prokurimit i ka dy kontrata të raportuara për njësi, por nuk e ka të përgatitur vlerën indikative të kontratës.
– Aktivitetet e planifikuara nga MFPT rreth Thesarit, në muajin korrik kanë kaluar në kuadër të AQP-së.
– Kontratat që kanë të bëjnë me furnizim me pajisje të IT-s e që janë minitender, përmbajnë numrin 5, numër ky i llojit të kontratës së punës.
Nrecaj Musliu tha se gjetjet flasin për mungesë të mirëfilltë të planifikimit.