Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Ekonomia Online se insistimi i kryeministrit Albin Kurti për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitar në Zyrën e tij, mund të krijojë precedent të keq tek qytetarët e vendit.
Sipas tij, Albin Kurti si kreu i Qeverisë duhet të jetë shembull që urdhrat e organeve të zbatimit të ligjit duhet të zbatohen.
Bajraktari ka thënë se është shqetësuese hezitimi i kryeministrit lidhur me dëshminë e tij për çështjen e rezervave shtetërore, të cilat tash e sa kohë janë nën llupën e Prokurorisë Speciale.
“Sa i përket këtij procesi, natyrisht e kam parë me shqetësim hezitimin e kryeministrit të vendit për faktin se për dallim prej herës së parë kur për shkak të pamundësisë objektive, përgjegjësisht u mirëkuptua. Kërkesa e tij pastaj për t’u intervistuar në zyrën e tij natyrisht që në bindjen vë në pozitë të pabarabartë qytetarët e vendit, prandaj vlerësoj që sistemi prokurorial i ka tri alternativa: Të dëshmojë që në raport me ligjin janë apo jo të gjithë qytetarët e barabartë, apo ka disa të tillë të cilët janë më të barabartë sesa të tjerët, që nënkupton që t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit”, ka thënë Bajraktari, ndërsa ka treguar edhe për mundësitë tjera.
Shqiptimi i gjobës dhe autorizimi i Policisë për ta intervistuar Kurtin, janë disa nga alternativat tjera që i përmend avokati.
“Alternativa e dytë në bindjen time është që kryeministri të reflektojë, nëse jo natyrisht që prokuroria të veprojë konform dispozitave ligjore që në rast të mos-përgjigjes pozitivisht të ftesës dhe të mos-arsyetimit të saj, të veprojë sipas dispozitave, fillimisht të shqiptojë gjobë deri në 250 euro e në rast se kjo bëhet e vazhdueshme atëherë mund të jetë edhe subjekt i ndëshkimit me burgim jo me tepër se 1 muaj apo të shkohet në alternativën e tretë që në bindjen time po ashtu është e ligjshme ku sipas nenit 118 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria mund ta autorizojë Policinë të ndërmarrë një nga veprimet hetimore dhe duke qenë se kjo gjë është e ligjshme, atëherë le të shikohet si alternativë që Policia e Kosovës nën udhëzimet e Prokurorisë së Shtetit ta kryejë këtë veprim procedural”, u shpreh Bajraktari.
Por a ka bazë ligjore që Kurti të intervistohet në Zyrën e tij, Bajraktari e sheh të pamundur. Kjo sipas tij mund të bëhet vetëm në rrethanat kur qytetarët nuk mund të intervistohen për shkaqe shëndetësore.
“Këtë mundësi e përcakton si rrethanë përjashtuese në rrethanat kur ata për shkaqe shëndetësore e të ngjashme nuk mund t’i përgjigjen, ata mund të intervistohen (në shtëpi), ndërsa në bindjen time kjo nuk ka mbulesë ligjore, prandaj është nën përgjegjësinë e Prokurorisë së Shtetit të dëshmojë që në rast se janë ose jo të gjithë qytetarët e vendit të barabartë para ligjit”, u shpreh tutje Bajraktari.
Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet të përçojë mesazh se organet e zbatimit të ligjit duhet të zbatohen dhe jo të krijojë precedent “të rrezikshëm”.
“Pikërisht kjo është një gjë që kryeministri i vendit duhet me pas parasysh, duhet me reflektua si kreu i Qeverisë në raport me përgjegjësinë që ka jo vetëm si qytetar i vendit, mirëpo edhe si kreu i ekzekutivit dhe të përçojë një mesazh që organet e zbatimit të ligjit dhe urdhrat dhe veprimet e tyre të ligjshme duhet të zbatohen, prandaj duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe të shkojë për të dhënë dëshminë e tij. E kam thënë disa herë, dëshmia nuk duhet të paragjykohet për faktin se është detyrë dhe përgjegjësi e prokurorit të çështjes që me u sigurua që krahas provave fajësuese, të përkujdeset edhe për sigurimin edhe atyre shfajësuese, prandaj vlerësoj që politizimi i kësaj çështje është i panevojshëm dhe në rrjedhë të kësaj kryeministri duhet të dëshmojë që është i përgjegjshëm në raport me ftesën e Prokurorisë”, ka deklaruar Bajraktari.