Inspektorët e Komunës së Drenasit, në kuadër të inspektimeve në biznese për marrjen e masave lidhur situatën e krijuar me rastin e pandemisë COVID-19, në bashkëpunim edhe me Policinë e Drenasit, kanë inspektuar ndërmarrjen e “Ferronikelit” në Drenas.
Fillimisht janë inspektuar hapësirat e administratës në këtë kompani, në të cilën shihet se janë marr masat e nevojshme mbrojtëse sipas urdhëresës 01/03 të Qeverisë për marrjen e masave ndaj veprimtarive ekonomike. Inspektorët kanë konstatuar se në këtë ndërmarrje është bërë dezinfektimi i hapësirave të punës, pajisja e punëtorët me mjete mbrojtëse personale sipas Udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe personat brenda hapësirës së punës janë me distancë të mjaftueshme.
Përveç dezinfektimit të hapësirave të punës për të cilën është ofruar edhe dëshmi, të njëjtën kohë janë dezinfektuar edhe të gjitha automjetet e punës që gjenden në shërbim të kësaj ndërmarrje.
Në këtë ndërmarrje është inspektuar edhe mensa e punëtorëve, në të cilën shërbimi është duke u ofruar për konsum jashtë saj, për punëtorët që vijnë të marrin shërbim janë të vendosur shenjat drejtuese për mbajtjen e distancës gjatë pritjes në radhë.
Në hapësirat e emergjencës mjekësore, aktualisht janë furnizuar me material të nevojshëm për të mbajtur nën kontroll situatën shëndetësore të punëtorëve, gjithashtu edhe hapësirat e punës së zjarrfikësve janë në gjendje të duhur dhe punëtorët janë të furnizuar me material të nevojshëm për mbrojtjen personale.
Po ashtu është inspektuar edhe sektori i prodhimit në të cilën përkundër natyrës së punës, punëtorët gjenden në distancë të duhur dhe janë të pajisur përveç me mjete mbrojtëse të punës edhe me masa tjera ndaj përhapjes së virusit.
Komuna e Drenasit, do të vazhdoj në inspektimin e të gjithave bizneseve për të monitoruar nëse janë duke u zbatuar vendimet dhe urdhëresat e nivelit qendror për marrjen e masave në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.