Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Vushtrrisë, në një aksion të asistuar edhe nga Policia e Kosovës sot ka rrënuar një objekt afarist dhe banimi të ndërtuar në pronë publike në rrugën “Galip Badivuku”, në qendër të qytetit.
Për ta përcjellë procesin e rrënimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri dhe nënkryetari, Besim Muzaqi.
Drejtoria e Inspeksionit ka bërë të ditur se me kohë e kanë paralajmëruar ndërtuesin si dhe kanë ndjekur të gjitha procedurat deri në vendimin përfundimtar për rrënim.
Po ashtu, Inspektorati i kësaj komune i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët duan të bëjnë ndërtime të objekteve afariste apo të banimit që të pajisen më leje ndërtimi.