Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), gjegjësisht Inspektorati i Punës, që vepron në kuadër të kësaj ministrie, duke u bazuar në sektorët me risk për shëndetin dhe jetën e punëtorëve, që janë identifikuar gjatë inspektimeve sistematike, por edhe nga raportet periodike nga tereni, këtë vit i ka dhënë prioritet inspektimeve në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo për shkakun se numri më i madh i aksidenteve në vendin e punës, duke përfshirë edhe ato me fatalitet, kanë ndodhur në këtë sektor.
Në kuadër të inspektimeve të rregullta që kryen Inspektorati i Punës, jo rrallë ka hasur në rezistencë nga punëdhënësit ku inspektorët e punës janë fyer, sharë e edhe kërcënuar. Rasti më i freskët është ai që ka ndodhur së fundmi në N.P “Izolimi”, në Rrugën “Ferid Curri” në lagjen Arbëria në Prishtinë. Në këtë subjekt juridik inspektorët e punës, për aq sa janë lejuar të zhvillojnë inspektimin, kanë evidentuar shkelje të legjislacionit në fuqi mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, inspektorët janë penguar nga A. R, i cili është prezantuar si menaxher i punishtes. Për më tepër A.R. në mënyrën më të vrazhdë i ka kërcënuar inspektorët e punës, i ka fyer, ua ka hedhur dokumentacionin përtokë e sjellje të tjera jonjerëzore duke pamundësuar kështu kryerjen e detyrës zyrtare të inspektorëve të punës.
Bazuar në mandatin që ka Inspektorati i Punës për sigurinë dhe shëndetin në punë, inspektorët e punës kanë qenë të detyruar që të kërkojnë ndihmë nga Policia e Kosovës, të cilët në kohë optimale i janë përgjigjur ftesës së inspektorëve të punës, ku ne u jemi mirënjohës.
Duke marrë parasysh ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës që rregullojnë çështjen e punës, shëndetit dhe sigurisë në punë të të punësuarve, por edhe thirrjen publike të ministrit të MPMS-së, Skender Reçica “Shëndeti dhe siguria në punë mbi të gjitha”, MPMS-ja, gjegjësisht Inspektorati i Punës, do të vazhdojë në mënyrë intensive dhe me përgjegjësi të plotë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit aktual duke pas gjithnjë prioritet mbi prioritete sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve. Për asnjë moment nuk do të dorëzohemi ndaj kërcënimeve dhe shkelësve të ligjit, por do të veprojmë konform legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve.