Inspektorati i Punës ka marrë edhe një vendim në favor të Arianit Ahmetit, lidhur me kontestin e tij me Federatën e Futbollit të Kosovës, organizatën për të cilën ka punuar ai në të kaluarën.
Ahmeti ishte zëvendëssekretar i përgjithshëm i FFK-së për kohë të gjatë dhe person me ndikim në federatën më të madhe sportive në vend. Por ai ishte shkarkuar dhe ishte përjashtuar nga FFK-ja. Në vendimet e FFK-së për Ahmetin, Inspektorati i Punës kishte gjetur shkelje.
Në vazhdën e këtij “konflikti”, FFK-ja ka paraqitur ankesë në Inspektorat të Punës lidhur me vendimin e IP-së. Por ankesa është refuzuar.
KOHA ka siguruar vendimin e Inspektoratit të Punës për këtë rast, që është protokolluar më 3 gusht. Vendimi është i “Komisionit të Organit të Shkallës së dytë”. FFK-ja ka bërë ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës.
“Refuzohet e pa bazuar Ankesa e parashtruar nga Federata e Futbollit të Kosovës. Vërtetohet vendimi i Organit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës, i datës 15 maj”, thuhet në vendim.
Në arsyetim të vendimit shkruan se Inspektorati i Punës ka aprovuar ankesën e Arianit Ahmetit dhe ka obliguar punëdhënësin, FFK-në, që të shfuqizojë vendimet për ndërprerje të marrëdhënies së punës së Ahmetit, për hapje të procedurës disiplinore për përjashtim nga organizata e futbollit dhe vendimin për përjashtim të Ahmetit nga FFK-ja.
Në vendim të IP-së është shkruar se FFK-ja ka qenë e obliguar që të shqyrtoj ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Ahmetit, që të eliminohen shkeljet.
Por FFK-ja kishte reaguar ndaj këtij vendimi. Kishte paraqitur ankesë për shkelje të dispozitave procedurale, për konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Shkalla e dytë ka vendosur që ankesa është e pabazuar. IP ka dhënë një arsyetim të gjatë të vendimit, njëjtë si të vendimit të parë.
Ahmeti ka pretendime shumë më të mëdha se vetëm pozita e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të FFK-së. Ai pretendon të udhëheq me Federatën e Futbollit nga pozita e kryetarit të saj.
Pretendimet e tij për të marrë drejtimin e FFK-së u paraqitën që në kohën kur ai ishte zëvendëssekretar i përgjithshëm.
Në fund të nëntorit të vitit të kaluar Komiteti Ekzekutiv i FFK-së kishte dhënë një deklaratë, ku kishte përmendur një “karrierist të paskrupullt nga Administrata”. Ishte kuptuar se bëhet fjalë për Ahmetin, ndërsa KE e akuzonte atë se po mbledhë nënshkrime për t’u zgjedhur kryetar.
Më 4 dhjetor, KE i FFK-së u pajtua për shkarkimin e zv.sekretarit të Federatës, Arianit Ahmeti, “bazuar në shkeljet e tij flagrante, duke u vetëkandiduar për kryetar të FFK-së si dhe duke kërkuar nënshkrime nga delegatët e kuvendit”. Më 16 dhjetor disiplinori i FFK-së mori vendim për përjashtim të Ahmetit nga organizata e futbollit.
Ka pasur shumë zhvillime prej atëherë. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, për të cilin Ahmeti pretendonte se i ka përfunduar mandati, u ka mbijetuar furtunave të shumta dhe vazhdon të jetë në krye të FFK-së. Ai është dënuar me burgim efektiv edhe për një rast jashtë futbolli, por vazhdon të udhëheqë.
Ahmeti, me gjithë vendimin e IP-së, vazhdon të jetë jashtë federatës, ndërsa nuk ka ndalë angazhimin dhe nuk po e ndalë atë, për të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Nga UEFA zyrtarisht nuk ka pasur ndonjë qëndrim për çështjet që vlerësohet se e dëmtojnë rëndë futbollin në vend.
KOHA të premten ka provuar të flas me sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu lidhur me refuzimin e ankesës nga Inspektorati i Punës. Por ai nuk është përgjigjur me arsyetim se ka një rast familjar.
Pas vendimit të parë të Inspektoratit për rastin Ahmeti, Eroll Salihu kishte lëshuar një komunikatë përmes faqes zyrtare të FFK-së.
“Ndaj Arianit Ahmetit organet e brendshme të FFK-së kanë marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Së fundi, ne kemi pranuar një vendim nga Inspektorati i Punës, ku kërkon nga FFK-ja që të rishqyrtojë edhe njëherë procedurën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së Ahmetit. Pra ka kërkuar vetëm të rishqyrtohet procedura, në asnjë rast Inspektorati nuk ka evidentuar që nuk ka bazë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Organet e brendshme të FFK-së, konform dispozitave të Ligjit të Punës, akteve të brendshme dhe vendimit të Inspektoratit të Punës, do të ndërmarrin veprimet ligjore në afatin e paraparë dhe do të informojnë Inspektoratin dhe palët në këtë procedurë”, thuhet në sqarimin e Eroll Salihut.
Ky rast në fakt vetëm po rëndon gjendjen në futbollin kosovar, organizatën që e drejton atë. Së fundi kanë dalë në pah telashet e skuadrave kosovare që po paraqiten në Evropë e që kanë të bëjnë me mosmenaxhim të duhur të situatës me COVID-19.