Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar me një ceremoni përvjetorin e 12-të të themelimit.
Pas intonimit të himnit, Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Miradie Kelmendi, foli për themelimin dhe rrugëtimin e këtij institucioni.
Sipas saj, Inspektorati nisi punën me pak njerëz, por dha rezultate konkrete në fillim, duke evidentuar shkeljet e para, raporton Ekonomia Online.
“Sot 12 vite më parë, më 3 korrik 2006, ka filluar punën Inspektorati Policor i Kosovës, si mbikëqyrës i policisë, e ndihmuar nga Qeveria e atëhershme dhe organizatat internacionale. Ky grup i inspektorëve për një periudhë 6-mujore ishte në gjendje të shohë shkeljet e bëra”.
Kelmendi theksoi se Policia e Kosovës është një nga më të mirat në rajon.
Zëvendësministri i punëve të brendshme, Izmi Zeka, ndërkaq, vlerësoi se IPK-ja është një ndër institucionet më të rëndësishme, duke thënë se ka fuqizuar Policinë e Kosovës.
“Themelimi i IPK-së, si institucion i mbështetur nga Ministria dhe organizatat internacionale, vazhdon të jetë një prej sukseseve të Ministrisë. IPK-ja ka fuqizuar Policinë e Kosovës”.
Zeka tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e gatshme të vazhdojë ta ndihmojë pa rezervë Inspektoratin Policor të Kosovës, raporton EO.
“Si Inspektorati edhe Policia e kanë ruajtur pavarësinë dhe imazhin e mirë të Kosovës”.
Përfaqësuesja e ICITAP-it, Kimberly Riffe, pranoi një mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm drejt fuqizimit të IPK-së.
Ajo tha se Inspektorati ka një mandat te rëndësishëm që të hetojë sjelljet e policisë dhe shkeljet që mund të bëhen.
“Është e rëndësishme që këto inspektime dhe hetime të bëhen pa ndikimin politik apo ndikimet e tjera që të vazhdohet puna në mënyrë profesionale”.
Riffe citoi një fjalim të ambasadorin amerikan Delawie i cili kishte thënë që zyrtarët e lartë t’i vendosin interesat e shtetit para atyre personale.
“Zyrtarët publikë duhet të jenë llogari-dhënës për qytetarët qe janë taksa-paguesit për pagat e tyre dhe mbi të gjitha për vendin e tyre. Kjo shkon përtej intersave personale dhe politike dhe kjo vlen për të gjithë zyrtarët. Prandaj kërkoj nga të gjithë ju qe të vendosni interesin e shtetit tuaj para intersave personale, dhe gjithsesi vendi juaj ka nevoje të luftojë korripsionin”.
Më pas përfaqësuesja e ICITAP-it, uroi për 12-vjetorin e IPK-së dhe u zotua për vazhdimin e mështetjes nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë kësaj ceremonie mirënjohje u ndanë edhe për përfaqësuesit e misionit të OSBE-së dhe misionit të EULEX-it si dhe për 50 punonjësit e IPK-së.