Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 tetor 2020, Gafurr Rexha më 29 shtator 2020, në cilësinë e personit zyrtar inspektor i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet 12 mijë euro nga i dëmtuari Naim Berisha, pronar i firmës ndërtimore “Berisha Group”, raporton Betimi për Drejtësi.
Në aktakuzë thuhet se pasi paraprakisht i kishin ndaluar punimet të dëmtuarit Berisha në objektin me leje ndërtimi që ishte në ndërtim e sipër tek lagja e spitalit në rrugë “Holger Petersen”, kishte shkuar tek i njëjti dhe në emër të lëshimit të lejes për vazhdimin e punimeve i kishte kërkuar shumën e të hollave prej 12 mijë euro.
Pas kësaj, i dëmtuari Berisha rastin e kishte paraqitur në polici dhe gjatë zbatimit të masave të fshehta, pasi i akuzuari Rexha ishte takuar me të dëmtuarin Berisha në kafenenë “Liburnia”, në lagjen Tophane në Prishtinë, kishte pranuar këtë shumë të të hollave, të cilin zyrtarët policorë menjëherë e kishin arrestuar.
Për këto veprime, Rexha ngarkohej me veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.
Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Gafurr Rexha ndaj Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Dy të fundit kishin vendosur që Rexha të dënohet për marrje ryshfeti.
Rexha akuzohej se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit të Komunën e Prishtinës kishte pranuar 12 mijë euro ryshfet nga pronari i firmës ndërtimore “Berisha Group”, Naim Berisha, për lëshimin e lejes për vazhdimin e punimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë vepër penale, Themelorja e kishte dënuar Rexhën me dënim prej 1 viti burgim dhe dënim me gjobë 3 mijë euro, ndërsa pas ankesës së Prokurorisë, Apeli e kishte rritur dënimin ndaj tij në 2 vjet e gjysmë.
Kundër këtyre aktgjykimeve, Rexha ka ushtuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.