Të gjithë e kanë mendimin e tyre për atë se çfarë nuk është në rregull me rrjetet sociale siç i shohim aktualisht, por shumë njerëz mendojnë se “pëlqimet” janë ndër problemet më të zakonshme. Jane Manchun Wong tani e ka gjetur opsionin, në kuadër të test funksionit të Instagramit, i cili nuk u lejon vizitorëve të shohin se sa pëlqime i ka marrë një postim, raporton Engadget.
Personi që e poston përmbajtjen ende e sheh këtë statistikë. Por siç përshkruan aplikacioni: “Duam që të gjithë ndjekësit e tuaj të përqëndrohen në atë që e postoni, dhe jo se sa pëlqime i marrin postimet. Gjatë këtij testimi, vetë personi i cili e poston postimin do ta shohë numrin e përgjithshëm të pëlqimeve”, shkruan KOHA Ditore.
Mbetet të shihet nëse dhe sa do të ketë ndikim në faktin se si i shohin përdoruesit rrjetet sociale. Instagrami ka konfirmuar se po kryen teste interne të funksionit, i cili ende nuk është në dispozicion të publikut. Kompania gjithashtu nuk e ka fshehur numratorin e ndjekësve, i cili zakonisht e mat popullaritetin e llogarisë së dikujt. Gjithashtu duket se nuk ka efekt as në mënyrën se si postimet renditen nga algoritmi i Instagramit.