Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias më 18 prill

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 13:31 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pavijoni i Kosovës ka shpallur konceptin kuratorial për “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion ngërthyes skulpturor nga Doruntina Kastrati dhe kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Në bashkëvajtje me temën e Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia, e cila përqendrohet tek ndjenja e së huajës brenda vetvetes dhe si gjendje e krijuar si pasojë e pabarazisë, përjashtimit dhe krizave botërore, Pavijoni i Kosovës do ta adresojë çështjen e punës së feminizuar përbrenda kontekstit të ekonomive të parregulluara. Instalacioni i Doruntina Kastratit do të krijojë një gjuhë për përvojën e tëhuajtjes së grave në kontekstin e prodhimit, gjë që ka për kontekst më të gjerë një shoqëri që ende i formëson narracionet e veta kombëtare, historike dhe kulturore përmes një objektivi patriarkal. Në veçanti, kjo shënon herën e parë që Pavijoni i Kosovës zgjedh të prezantojë një projekt që udhëhiqet nga një ekip i përbërë prej grave vendase dhe që përqendrohet tek to.

Për shkak të natyrës së përsëritur të punës në fabrikë dhe meqë bëhet vetëm në këmbë, pothuajse një e treta e grave në këtë sektor i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike që u futen në trup mbesin si gjurmë të orareve të gjata të punës me pagesë të ulët. Me qëllim të nxisë përsiatje mbi mënyrën se si dhe përse praktikat shfrytëzuese të punës kanë arritur të vijojnë të pashqyrtuara deri më sot, artistja do të shfaqë një sërë skulpturash të përmasave të mëdha, duke i nënvizuar tiparet e trupëzuara të materialeve, veçanërisht të metalit. Vepra shoqërohet me material zanor.

Konferencën inauguruese për miq dhe media, të mbajtur sot nga ora 11:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e hapi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku duke bërë të ditur që hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias është 18 prill në orën 15:00.

“Kanë mbetur fiks një muaj deri në hapjen zyrtare të pavijonit të Republikës së Kosovës në Venedik të Italisë, për edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit, Bienales së Venedikut, e cila për temë sivjet trajton çështjen e ‘’Të huajve kudo’’. Pra, me 18 prill të këtij viti, hapen dyert e pavijonit të Kosovës për adhuruesit e arteve pamore për të parë reprezentimin artistik të vendit tonë në një nga ngjarjet artistik të nivelit më të lartë botëror”, theksoi Çeku.

Komisionerja Hana Halilaj ka bërë të ditur se Pavijoni i Kosovës do të zhvendoset në një vend të ri në Venedik.

“Pas ekspozimit në kompleksin ekspozues të Arsenales në edicionet e kaluara, Kosova sivjet ka një shtëpi të re për pavijonin e saj në Museo Storico Navale della Marina Militare (Riva S. Biasio, 2148, 30122 Venezia), e cila ofron hapësirë të shkëlqyeshme për instalacionin skulpturor të Kastratit. Me këtë vendim mirënjohim domethënien e thellë të narracioneve që sjellim në platformën prestigjioze të La Biennale di Venezia. Që nga viti 2013, Kosova ka marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit të La Biennale di Venezia me përfaqësime solo nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Duke përzgjedhur një artiste të brezit të ri, Pavijoni i Kosovës mundëson një qasje dhe diskurs të ri, duke ndezur biseda të reja që kumbojnë larg përtej kufijve tanë”, tha Halilaj.

Artistja Doruntina Kastrati tha se së bashku me kuratoren Erëmirë Krasniqi, përqendrohen te puna e feminizuar, te pasojat fizike të punës dhe te pabarazitë në vendin e punës, duke synuar të sjellin në pah narracionet e grave në margjinat e shoqërisë.

“Ky projekt ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen time. Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë. Këto skulptura përcillen nga një material zanor që shërben t’i aktivizojë dhe janë të ndërtuara nga alumini, duke aluduar edhe te protezat kirurgjike, edhe te hapësira industriale e fabrikës, gjë që sjell ndër mend ftohtësinë e fabrikës dhe ftohtësinë e metalit të huaj ndaj lëkurës së punëtores. Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës përfaqëson tëhuajtjen që përjetojnë gratë e klasës punëtore dhe ndërthur asocime, referenca dhe histori që gjykojmë se janë tejet të rëndësishme të theksohen, edhe brenda Kosovës, edhe në skenën globale”.

Kuratorja Erëmirë Krasniqi tha se Pavijoni i Kosovës sivjet përqendrohet jo te lufta, po te pasojat e saj. “Realitetet me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, të cilat kanë për kapital të vetëm shoqëror dhe ekonomik punën që ofrojnë, kanë shërbyer si pikënisje për artisten dhe janë thelbësore për hulumtimin që informon punën kuratoriale. Si kuratore, zhvillimi i një projekti që hedh dritë mbi narracionet e periferisë dhe që i përfshin ato përmes një këndvështrimi të informuar në mënyrë kritike nuk është vetëm i shënueshëm, por përbën edhe pikënisjen tematike. Vënia e këtyre çështjeve brenda një konteksti më të gjerë ka rëndësi të madhe, meqë nis biseda që shkojnë matanë lokales”.

Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës nga Doruntina Kastrati me kuratore Erëmirë Krasniqin është përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur nga një juri profesionale e emëruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Repubikës së Kosovës.

Me shpalljen e Doruntina Kastratit si artiste përfaqësuese e Pavijonit të Kosovës në shtator të vitit 2023, juria deklaroi:

“Anëtarët e jurisë janë bindur nga projektpropozimi i fortë, koherent dhe i elaboruar i Doruntina Kastratit, i cili zgjeron hulumtimin e saj artistik mbi kushtet e pasigurta të punës dhe subjektivitetin në kontekstin socio-politik dhe ekonomik të Kosovës, të rajonit dhe të Evropës”.

Anëtarët e jurisë përfshinë kuratorët Zdenka Badinovac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk, si dhe artistin Alban Muja.

FAKTE:

La Biennale di Venezia

Ekspozitat Ndërkombëtare të Artit dhe të Arkitekturës — La Biennale di Venezia janë dy nga platformat më të rëndësishme të artit dhe arkitekturës bashkëkohore në botë. Ato ndërkëmbehen çdo vit, janë të hapura për publikun nga prilli deri në nëntor dhe vizitohen nga 800.000 njerëz për çdo edicion.

Titulli i Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit e La Biennale di Venezia Stranieri Ovunque – Të Huaj Kudo frymëzohet nga një sërë veprash të nisura në vitin 2004 nga kolektivi artistik parisien Claire Fontaine, që ndërkohë vepron në Palermo. Shprehja buron prej një kolektivi nga qyteti i Torinos që ka luftuar kundër racizmit dhe ksenofobisë në Itali në fillim të shek. XXI. «Shprehja Stranieri Ovunque – siç shpjegon Adriano Pedrosa – ka disa kuptime. Së pari, kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh, përherë do të hasësh të huaj — ata janë kudo. Së dyti, kudo që të gjendesh, thellë përbrenda vetes, përnjëmend dhe gjithmonë do të jesh i huaj.»

Kosova në La Biennale di Venezia

Republika e Kosovës merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Përfaqësimet e mëhershme kanë qenë paraqitje solo të veprave nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Brenda dhjetë vjetësh, Kosova është përfaqësuar me sukses përmes projekteve që janë marrë me politikat e identitetit, Luftën e Kosovës, personat e zhdukur dhe me mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar. Të gjitha këto projekte kanë rezonuar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për thurjen e narracioneve kolektive. Duke vijuar krahas kësaj pëvoje, projekti i Doruntina Kastratit adreson gjendjen e tëhuajtjes përmes hetimit të kundërhistorive, narracioneve në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara.

Pavijoni i Kosovës gjendet në Museo Storico Navale della Marina Militare (Riva S. Biasio, 2148, 30122 Venezia)

Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia ka për komisionere kuratoren e Galerisë Kombëtare të Kosovës Hana Halilaj dhe organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Për artisten:

Doruntina Kastrati është artiste pamore që vepron në Prishtinë. Praktika e saj artistike përfshin skulpturën, instalacionin dhe imazhet lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin për Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Në vitin 2017 ka fituar çmimin Hajde x 6 nga Fondacioni Hajde. Kastrati ka qenë artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju-Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018 dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Veprat e saj janë ekspozuar së fundi në Eugster Belgrade, (2023); në Manifesta 14, Prishtinë (2022); në Muzeun Hessel, Nju-Jork, (2022); në ETH, Cyrih (2022); në ChertLüdde, Berlin (2021), në Autostrada Biennale, Prizren (2021); në Muzeun MAXXI, Romë (2021); në Kadist Foundation, Paris dhe në Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës (2020), përveç të tjerash.

Për kuratoren:

Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese që vepron në Prishtinë. Krasniqi ka mbaruar studimet master në Kolegjin Dartmouth, ndërsa studimet themelore i ka kryer në Kolegjin Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri dhe Edicionin e 39-të të EVA International në Limerik të Irlandës. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të përfillur dhe për të korrigjuar mangësitë në regjistrat historikë. Interesat e saj kërkimorë luhaten mes historive të artit modern socialist dhe të shprehurit lokal që kontribuon për sfidimin e narrativave dominante historike. Prej vitit 2017 deri në vitin 2024 Krasniqi ka qenë drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim digjital që ndërvepron me forma të reja të prodhimit kulturor dhe që mbështet dhe avokon për punën e pazëvendësueshme të arkivave mediatikë.

ORARI I HAPJES

Hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës do të mbahet më 18 prill 2024 në orën 15:00.

Ekspozita e 60-të Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia do të mbahet nga 20 prilli deri më 24 nëntor 2024.

Të ngjashme