Komunikimi nuk është rrugë njëkahore, nuk është vetëm informim, është proces dëgjimi dhe mbi këtë proces zhvillohet demokracia. Menaxhimi i Marrëdhënieve me Publikun në kohë të tensioneve politike, është art që duhet zbatuar me dije dhe përkushtim
Përgjegjësitë e Marrëdhënieve me Publikun në jetën politike dhe institucionale në Kosovë, konsiderohen se ende janë larg realizimit të objektivave, të cilat i përkufizon fusha. Ende Marrëdhëniet me Publikun konsiderohen fushë e informimit, pra vetëm të japësh e jo edhe të marrësh. Mbase qëndrimi i tillë po sjellë edhe polarizime të skajshme dhe mosbesim të qytetarëve në vendimet politike.
Zyrtarët e Marrëdhënieve Publike, para se të kenë përgjegjësinë për të dhënë informacionin – lajmin për një fushë të caktuar, janë burim informacioni mbi atë se çka mendon anëtarësia, publiku dhe si reflekton ajo karshi atij lajmit. Gjykuar sipas kësaj logjike, këta zyrtarë më shumë duhet të kujdesen për të marrë, sesa për të dhënë. Në këtë formë ndihmojnë udhëheqësit e tyre, qofshin ata politiko – partiak apo institucional.
Specialisti veteran i Marrëdhënieve Publike, Robert L. Dilenschneider, i quan Marrëdhëniet Publike si “arti i të ndikuarit”. Në një libër të tij, ai thekson: “Është i fuqishëm ai që arrin të kujtoj dhe të bëjë lidhjen mes komunikimit, vlerësimit dhe të ndikuarit”.
Po si është gjendja në Kosovë karshi këtij përkufizimi?
Konsideroj se të jetë larg, mbase edhe ne vetëm informojmë pa hyrë në fazën e dëgjimit, vlerësimit etj. Si i tillë, komunikimi nuk është rrugë njëkahore, nuk është vetëm informim, është proces dëgjimi dhe mbi këtë proces zhvillohet demokracia. Menaxhimi i Marrëdhënieve me Publikun në kohë të tensioneve politike, është art që duhet zbatuar me dije dhe përkushtim.
Angazhimi për informim, komunikim dhe partneritet me shtetasit e Kosovës, është i një rëndësie jetike për kohën. Dinamika e zhvillimit institucional dhe të shoqërisë karshi zhvillimit të teknologjisë së informimit dhe komunikimit, kërkon që roli i mekanizmave institucional e partiak, të cilët merren me këtë sektor, të fuqizohen shumë për të synuar arritjen e kësaj objektive. Komunikimi ndërton marrëdhënie dhe zhvillon dialogun me shtetasit në jetën institucionale, gjersa në atë partiake me anëtarësinë. E bëjnë atë më të vlerësuar, më aktiv dhe jo lehtë për t’u manipuluar nga të tjerët.
Jam i bindur se sot po ta kishim të zhvilluar këtë fushë, nuk do të na shfaqej problemi i demarkacionit e as i asociacionit, nuk do të na shfaqej edhe perceptimi për keqqeverisje në pushtetet lokale që diku në sytë e qytetarëve shihen si qendra të biznesit. Ndërtimi i marrëdhënieve të mira me publikun ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e qeverisjes, qoftë ajo lokale apo qendrore, i shërben rritjes së transparencës së punës së saj në përmirësimin e efiçiencës, efektivitetit dhe rritjes së pjesëmarrjes aktive të qytetarëve. Procesi i ngjashëm reflekton edhe tek partitë politike.