Sot, katër vjet pas burgosjes së ish-presidentit, ish-krye parlamentarëve e ish-deputetë të Kosovës është e rëndësishme që institucionet e vendit të mos e kalojnë këtë ngjarje në heshtje.
Ata duhet të kujtojnë rëndësinë e këtij procesi gjyqësor dhe të sigurojnë qytetarët për angazhimin e tyre që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për çdo viktimë dhe të akuzuar, pa përjashtime.
Nuk përbën ndërhyrje në drejtësi, e as nuk është turp apo ligësi që kryeministri dhe presidentja të flasin për këtë proces të rëndësishëm, ku po gjykohen udhëheqës të luftës për liri dhe ish-figura të larta të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Për më tepër, është krejtësisht e natyrshme që përfaqësuesit institucionalë të shprehin respekt dhe të mos harrojnë rolin e tyre historik për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në fund të fundit, të flasësh ose të heshtësh nuk ndryshon asgjë, sepse sot, kur flasim për këto figura historike institucionale, nuk flasim për politikan, udhëheqës partie apo konkurrent elektoral.
Por, të shprehësh një qëndrim institucional për një proces të tillë ku po gjykohen figura me peshë të lartë historike tregon pjekuri institucionale dhe respekt për historinë e Kosovës.