Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin për procedurat e hapura rekrutuese në institucionet publike të cilat vazhdojnë të bazdohen në ligjin e vjetër për zyrtarët publik.
Më datë 25 shtator 2023, Ligji i ri për Zyrtarët Publik hyri në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare. Megjithatë, është vërejtur se disa institucione, si në nivelin e administratës shtetërore ashtu edhe në nivel lokal, vazhdojnë të publikojnë konkurse bazuar në procedurat e ligjit të shfuqizuar.
CorrWatch ka identifikuar se disa institucione vazhdojnë të shpallin konkurse te bazuara në Ligjin e vjetër (Nr.06/L-114) i cili tashmë është i shfuqizuar dhe sipas procedurave të cilat nuk janë të parapara në ligjin e ri të Zyrtarëve Publik (Nr.08/L-197). Konkretisht, deri më tani janë shtatë (7) procedura për “Lëvizje Paralele” dhe një (1) procedura për “Avancim” të shpallura në platformën elektronike, SIMBNJ, pas datës kur ka hyrë në fuqi ligji i ri.
Ky fenomen është shqetësues dhe tregon një mungesë koordinimi dhe informimi brenda institucioneve publike. Është e rëndësishme që organet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për të ndaluar këto veprime dhe për të njoftuar institucionet për ndryshimet që janë bërë.
CorrWatch bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga institucioneve përgjegjegjëse për korrigjimin e kësaj situate dhe të anulojnë të gjitha procedurat që nuk janë në përputhje me ligjin e ri. Kjo do të ndihmojë në rikthimin e besimit të publikut ndaj institucioneve si dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.