Arsyeja e mungesës së dokumentacionit dhe arkivave sa i përket krimeve të kryera gjatë luftës po konsiderohet realitet si shkak i mosveprimit të menjëhershëm pas luftës. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Blakaj ka thënë se në fillim ka pas shumë informacione e që të njëjtat me kalimin e kohës janë zbehur. Ka thënë se shumë prej dokumenteve kanë përfunduar në arkiva private e të mbyllura.
“Nuk është vepruar me kohë, nuk është vepruar shpejt, menjëherë pas luftës ka pas informacione, ka pas më shumë informacione ka pas edhe dëshmitarë më shumë. Me kalimin e kohës, informacionet janë zhduk kanë përfunduar nëse bëhet fjalë për dokumente, kanë përfunduar në arkiva private apo arkiva të mbyllura apo mund të ketë pasur edhe asgjësim të dokumentacionit për prova forenzik”, ka thënë Blakaj.
Gjithashtu, një problematikë tjetër sa i përket gjetjes së arkivave për krimet e kryera 25 vite më parë, Blakaj ka thënë se ka shumë prej dëshmitarëve që kanë ndërruar jetë e shumë prej tyre iu është zbehur edhe memoria.
“25 vite pas luftës është vështirë të flasim sepse nuk ekzistojnë më ndërsa edhe dëshmitarët me kalimin e kohës për fat të keq shumë prej tyre kanë ndërruar jetë edhe ata që janë në jetë për një kohë kaq të gjatë edhe memoria mund të iu ketë zbehur paksa kështu që me lejimin që me kaluar koha pa i dokumentuar këto shkelje kanë ndikuar negativisht sepse kurrë nuk do ta kemi një dokumentacion të plotë për aq sa çka ka ndodh gjatë luftës”, ka thënë Blakaj.
Një arsye tjetër e mos-pasjes së dokumentacionit për këto krime, Blakaj ka thënë se është edhe lënia anash nga institucionet në të kaluarën.
“Është lënë anash, por nuk e di arsyeja se përse është lënë anash ndoshta sepse ka pas apo institucionet e caktume përfaqësues të institucioneve në të kaluarën kanë menduar se çështje tjera janë më prioritare se dokumentimi i luftës, ndoshta kjo ndoshta ka pa edhe mungesë të vullnetit politik, sidoqoftë kjo punë nuk është kryer edhe ne tash i bartim pasojat”, ka thënë Blakaj.
I njëjti, ka shtuar se viteve të kaluara institucionet kanë punuar në drejtim të gjetjes së të dhënave për krimet e kryera, megjithatë nuk kanë prodhuar asgjë. Ai deklaron se si qytetarët po ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile nuk kanë pas qasje në ato dokumente.
“Ka pas edhe nisma tjera nga institucionet të cilat kanë qenë të shkëputura nga njëra-tjetra dhe si të tilla nuk është se kanë jep rezultate dhe ne si publik nuk kemi qasje nuk e dimë se çka ka kanë prodhu komisionet e ndryshme p.sh a ka qenë një komision për identifikimin e shkatërrimeve pronës kulturore dhe të objekteve kulturore historike e kështu më radhë ata e kanë publikuar një raport po ne si qytetarë edhe si organizata jo qeveritare nuk kemi qasje në atë dokument pra nuk ka pas një gjithëpërfshirëse edhe një dokumentim sistematik i të gjithë atyre që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.
Blakaj ka edhe një thirrje për institucionet që t’i qasen me seriozitet çështjes së dokumentimit të të dhënave, pasi “është edhe koha e fundit kur duhet të ketë rezultate”.
“Institucionet, autoritetet t’i qasen seriozisht edhe me përkushtim të plotë çështjes së dokumentimit mbledhjeve, dokumenteve, dokumentacioneve, provave për periudhën e luftës ato që janë të qasshme të mblidhen sa më shpejt të sistemohen të arkivohen dhe pastaj të shfrytëzohen të nxirren raporte nga këto. Ende ka shpresë, ende mund të bëhet diçka në dokumentimin e së kaluarës, po nëse nuk ndodh kjo edhe për një periudhë të shkurt kohore, ndoshta një dekadë, nuk mund të presim që të gjinden më prova të kaluarës”, vijon ai.
Thirrja e Ministrisë së Drejtësisë që të dërgohen të dhënat për krimet e kryera gjatë luftës me email, sipas Blakajt është shqetësuese. Derisa thotë se zgjidhja e vetme që të mos humbin të dhënat është formimi i ekipeve për të dalë në teren dhe të bashkëpunojnë me qytetarët.
“Thirrja nga Ministria e Drejtësisë që kushdo që ka prova për krime lufte të i dërgojë me email si dërgohen provat me emal d.m.th nëse vazhdon këtë qasje Ministria e Drejtësisë, sigurisht nuk do të ketë rezultate duhet të krijohen ekipet që do të shkojnë në teren dhe derë me derë të bashkëpunojnë me qytetarët dhe me familjet e viktimave nëse kjo nuk bëhet atëherë më të vërtetë nuk do të presim rezultate”, ka thënë Blakaj për Ekonomia Online.
Kujtojmë se të mërkurën me 17 korrik, Rrjeti Ballkanik BIRN Kosova ka publikuar një raport të titulluar ‘Tjetri që nuk ekziston’, raport ky që ka dhënë konkluzione lidhur me të gjeturat e dokumentacioneve për krimet e kryera gjatë luftës e siç u tha institucionet kanë mungesë shumë të madhe për hetime në mënyrë të dokumentimit të së kaluarës.