Institucioni që mbikëqyr ligjin e prokurimit bëri shkelje në një tender

Prishtinë | 05 Maj 2018 | 13:54 | Nga

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar për institucionet publike. Por, ky institucion ka bërë shkelje të ligjit.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për të gjitha organizatat buxhetore të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit. Brenda punës së saj, ZKA mbikëqyrë edhe organizatat buxhetore nëse po e shkelin Ligjin Prokurimit Publik gjatë shpenzimit të buxhetit. Por, ky institucion që është “kujdestar” edhe i Ligjit të Prokurimit ka bërë vetë shkelje të këtij ligji, shkruan lajmi.net.

Agjencia Kundër Korrupsionit –AKK ka gjetur se Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur kritere të kundërligjshme në tenderin “Servisimi dhe Mirëmbajtja e veturave të ZKA-së”, i cili është në fazën e “njoftimit për kontratë”.

“Agjencia, pasi ka analizuar me kujdes njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit ka vërejtur se tek rubrika III.2.4. kapaciteti teknik dhe profesional tek kërkesa 5, Autoriteti Kontraktues, ka kërkuar që vendndodhja e operatorit të jetë jo më larg se 10 km nga selia e ZKA-së. Kërkesë kjo për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik, më saktësisht me nenin 7”, thuhet në një opinion të AKK-së drejtuar ZKA-së.

Agjencia, konsideron se me formimin e kësaj kërkese, tek pika III.2.4 e njoftimit për kontratë, Autoriteti kontraktues ka bërë diskriminim territorial në kundërshtim me nenin 7 paragrafët 1,2,3 dhe 4 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik ku në paragrafin 1 në mënyrë decitive thuhet që “Autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”.

Agjencia ka cituar edhe paragrafë tjera të shkeljes së ligjit. “Në paragrafin 4 parashihet e Autoriteti Kontraktues nuk do të krijojë ose imponojë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë në diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomikë”. Me formimin e kësaj kërkese , sipas AKK-së, Autoriteti Kontraktues diskriminon Operatorët ekonomikë që janë në largësi më tepër se 10 km dhe në të njëjtën kohë mund të krijojë kushte favorizuese për Operatorët ekonomikë që janë brenda perimetrit prej 10 km.

Andaj, sipas Agjencisë, Autoriteti Kontraktues në zbatim të nenit 7 të LPP-së, duhët të sigurojë pjesmarrje sa më të gjerë të mundëshme të Operatorëve Ekonomik të interesuar. “Për më tëpër Autoriteti Kontraktues duhët të i’u jap mundësi Operatove Ekonimik që janë jashtë perimetrit 10 km që të ënshkruajn marrveshje bashkpunimi, qiramarrje me pikat e Operatovëe Ekonomik që ofrojnë shërbime që ndodhën në hapsirën e kërkuar dhe në të njëtën kohë i mundëson Autoritetit Kontraktues të mos krijojë shpenzime të larta me rastin e këtyre shërbimeve”.

Andaj, AKK e ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues që të evitojë këto shkleje, përmes njoftimit standart për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët e kanë tërhequr dosjen e tenderit.

Po ashtu, lidhur me këto të gjetura, Agjencia ka njoftuar se do të njoftohët edhe Komisjoni Rregullativ i Porkurimit Publik –KRPP.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme