Instituti GAP ka prezantuar të gjeturat e raportit “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”, me ç’rast u tha se vetëm në vitin 2019 dhe 2020, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht departamenti i Thesarit ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxhetet e komunave të cilat para u janë dedikuar palëve të jashtme të cilët janë ankimuar në raport me komunat, raporton Ekonomia Online.
Bekim Salihu, nga Instituti GAP, ka thënë se vlera e obligimeve të papaguara ka shënuar rritje nga viti në vit. Ai ka thënë se ka komuna në Kosovë që më shumë ka paguar shpenzime administrative sesa ka realizuar të hyra.
Një nga problemet më të mëdha sipas tij, është pamundësia e komunave për t’i realizuar investimet brenda kohës së paraparë. Sfidë tjetër e cila dëmton performancën e komunave është rritja e obligimeve të papaguara dhe atyre kontingjente të komunave të cilat kanë shënuar rritje nga viti në vit.
“Deri në fund të vitit 2020, vlera e obligimeve kontingjente që kanë komunat është 91 milionë euro, ndërsa vlera e obligimeve të papaguara është 34 milionë euro. Komunat ballafaqohen edhe me sfida tjera si ajo e realizmit të të hyrave vetanake, ku brenda një viti, ato realizojnë të hyra vetanake rreth 79 milionë euro, ndërsa të hyrat që nuk kanë arritur t’i mbledhin komunat deri në vitin 2020 janë mbi 204 milionë euro”, ka thënë ai.
“Në vitin 2016 kanë qenë gjithsej 15 milionë euro që janë faturat e papaguara që i kanë pasur komunat ndaj operatorëve privat, ndërsa në vitin 2020, kjo vlerë ka shkuar në 34 milionë euro. Edhe në rastin e obligimeve kontigjente edhe në rastin e obligimeve të papaguara, përmbaruesit dhe gjykatat nxjerrin vendime që pastaj ekzekutohen nga Ministria e financave, Punës dhe Trasnfereve, nëpërmjet Departamentit të Thesarit. Në vitin 2019 dhe 2020, MF përkatësisht departamenti i Thesarit ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxhetet e komunave të cilat para u janë dedikuar palëve të jashtme të cilët janë ankimuar në raport me komunat”, ka thënë Salihu.
“Përveç këtyre miliona euro, janë ekzekutuar edhe 2. 1 milionë euro si pasojë e shpenzimeve procedurale. Për vetëm 2 vite kanë paguar kosto në raporto me Gjykatat dhe përmbaruesit. Ka komuna që ka paguar më shumë shpenzime administrative sesa ka realizuar të hyra”, ka thënë tutje Salihu.
Salihu tha se nga 25 projekte të audituara për kohëzgjatjen e investimeve në 12 komuna, ZKA ka gjetur se ka projekte që kanë nisur në vitin 2013 dhe të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund të vitit 2020.
“Ky problem ndikon keq në ecurinë e menaxhimit dhe shpenzimin e buxhetit… Shkaktarët të cilët e prodhojnë këtë gjendje, janë për disa arsye, mos planifikimi i duhur i investimeve, mungesa e mjeteve të plota buxhetore, mungesa e mbikëqyrjes serioze dhe rigoroze nga komunat në terren, dhe shpronësimi”, tha ai.
Rrona Zhuri, Hulumtuese në Institutin GAP, tha se qëllimi i këtij raporti ka qenë analizimi i gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) sa i përket investimeve publike që bëjnë komunat dhe problemeve që dalin në këtë drejtim, sikurse pamundësia e komunave për të realizuar investime të qëndrueshme, ekonomikisht të favorshme dhe të përfunduara me kohë.
Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), theksoi se ky institucion ndër vite jep numër të madh të rekomandimeve, mirëpo, niveli i zbatueshëmrisë së këtyre rekomandimeve nga komunat nuk është i kënaqshëm.
Edhe pse rekomandimet e dala nga ZKA-ja janë konkrete, në vitin 2020 vetëm 41 % e rekomandimeve janë marrë parasysh. Në vitin 2020, ZKA ka dhënë 25 opininone të pakualifikuara dhe 15 opinione të kualifikuara. Ajo gjithashtu ftoi përfaqësuesit komunal që rekomandimet e dala nga ZKA-ja të merren parasysh dhe shprehi gatishmëri për bashkëpunim.
Hykmete Bajrami, kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, theksoi se mekanizmat e Kuvendit të Kosovës nuk munden t’i adresojnë edhe çështjet që bien në nivel lokal, ngase kryetarët e komunave janë të zgjedhur drejtpërdrejt dhe ata u japin llogari kuvendeve komunale, nga të cilat kërkoi që të jenë më aktive në adresimin e rasteve sikurse këto që i paraqet analiza e Institutit GAP.
Në cilësinë e ish ministres së financave vuri në pah problemet financiare që dalin nga kontratat kolektive të nënshkruara nga niveli qendror, ndërsa barra e zbatimit bie mbi komunat dhe buxhetet e tyre.