Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse, “Robert Koch”, tha se ka dëshmi që sëmundja Covid-19 mund t’i dëmtojë veshkët dhe zemrën dhe të shkaktojë koagulim të gjakut.
Lajmin e bëri të ditur prof. Lars Schaade, nënpresidenti i këtij instituti, i cili gjithashtu tha: “Ne duhet t’i hulumtojmë të gjitha dëshmitë në mënyrë sistematike, përfshirë edhe dëshmitë e siguruara nga autopsitë.”
Ai shtoi se vendimi për lehtësimin e masave kufizuese në Gjermani kanë kuptim nga këndvështrimi shoqëror, por ato duhet të mbesin në fuqi, nëse shikohen nga këndvështrimi i pastër epidemiologjik.
Sipas statistikave zyrtare, numri i rasteve të infektimit është duke u dyfishuar çdo 20 ditë, ndërsa numri i personave të vdekur çdo 12 ditë, shkruan “The Guardian”.
Deri më tani, në Gjermani janë shënuar mbi 147 mijë raste të infektimeve dhe 4,912 persona të vdekur. Shkalla e vdekshmërisë së pacientëve në Gjermani është vetëm 3.2 për qind.
Schaade tha se kapaciteti për testimin e njerëzve është 730 mijë persona në javë, por do të duhej të ishte një milion në mënyrë që të testohen të gjithë personat me sëmundje respiratore.