Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur takim përfaqësues të Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq.
Rexhep Kaçuri nga ky institut ka kërkuar që në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shëndetësinë, instituti të përfshihet si institucion në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe aty të japin kontributin e tyre sepse, sipas tij, përballen me shumë vështirësi.
“Kërkojmë që në Ligjin për shëndetësi ne të jemi pjesë e institucioneve. Ne kryejmë punë për shtetin po shteti nuk kryen për ne. Jemi në gjendje materiale shumë të dobët. Kërkojmë nga Komisioni të na përkrahin ne ligjin që do të plotësohet dhe ne të jemi aty. Kuadri jonë është duke u vjetëruar. Vendet e regjionit e kanë të zhvilluar mjekësinë e punës. Kemi vështirësi, kërkojmë nga ju që instituti jonë të figurojë në instucionet e shëndetësisë dhe të japim kontributin tuaj”.
Gëzim Hodolli nga ky institut tha se përfshirja e tyre në këtë ligj do t’u ndihmonte në shërbimin për rrezatim, sepse kanë probleme në qasjen në projekte për shkak se janë shoqëri aksionare.
“Shërbimi për mbrojtjen nga rrezatimi, kemi probleme për qasjen në projekte, sepse jemi shoqëri aksionare. Përfshirja në institicione do të na ndihmonte”.
Musli Mehaj, koordinator i mjekësisë së punës, tha se ky institut bën ekzaminime që askush nuk i bën dhe përfshirja e tij në MSh është në interes të shëndetit të punëtorëve.
“Në institut bëhen ekzaminime që askush nuk i bën. Ka punëtorë që punojnë 10 vite e kurrë te mjeku s’ka qenë. Është interes shëndetësor i Kosovës. Problemi kryesor është interesi shëndetësor i punëtoreve”.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, tha se do të jenë të vëmendshëm që këtë institut të mos e lënë anash gjatë ndryshimit të ligjit, sidomos kur dihet gjendja jo e mirë e punëtorëve.
“Në plotësim ndryshim do të jemi të vëmendshëm që këtë institut të mos e lënë anash sepse është më se i domosdoshëm kur e dimë se në çfarë kushte punojnë punëtorët. Është më se e nevojshme që të ketë institute të punës në tërë regjionet. Si kryetare keni përkrahjen dhe do të angazhohemi, në këtë situatë e kemi të pamundur, por kur të vjen ligji do të kërkojmë ndryshimet”.