Qeveria e Kosovës në detyrë po synon të themelojë Institutin e ri për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Zyrtarët e qeverisë në detyrë theksojnë që Instituti do të shërbejë për krijimin e dosjes që do t’i shërbejë kujtesës kolektive dhe sipas tyre, tashmë është koha e fundit që të bëhet diçka lidhur me këtë çështje.
Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011, pra, 12 vjet pas luftës. Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018, ndërkohë që në Ministrinë e Drejtësisë është formuar Divizioni për Drejtësi Tranzicionale, i cili është dashur të vazhdojë punën e institutit. Ish-drejtuesit e Institutit thonë se ai nuk ka pasur mbështetjen e nevojshme të institucioneve shtetërore.
Krijimi i kujtesës kolektive
Ministrja në detyrë e Drejtësisë. Albulena Haxhiu, më 13 maj ka formuar Grupin punues, i cili deri në muajin shtator do të duhej të përgatisë analizën për formimin e institutit të ri.
Mbledhja e parë e këtij grupi punues do të mbahet të mërkurën dhe në të do të marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme relevante të Kosovës, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, si dhe ekspertët ndërkombëtarë.
Kryesuesja e Grupit punues, Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti, thotë për Radion Evropa e Lirë që puna nuk do të nis nga zeroja dhe nuk bëhet fjalë për anulimin e punës së deritashme të institutit paraprak. Sipas saj, do të përmblidhet puna e deritashme e institutit apo organizatave joqeveritare dhe të shkohet më tutje.
Ajo thotë që qëllimi i Institutit është krijimi i kujtesës kolektive, ndërkaq si pjesë të punës së institutit e sheh edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid.
“Kosova ka nevojë të hatashme për një institut ë tillë, i cili do të mund të adresonte, më në fund, se çfarë ka ndodhur në Kosovë. E dyta, do të mund të dokumentonte në mënyrë të përbashkët, të përgjithshme, për krejt Kosovën, jo vetëm atë se sa vrasje kanë ndodhur, por edhe sa persona janë përdhunuar, kush është torturuar, si dhe në fund, do të mund të adresonte gjithashtu edhe dëmet që janë shkaktuar, shtetit si tërësi, personave, ekonomisë”, tha Sheremeti.
“Plani dhe ideja e institutit është që të merret me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kur të fillojnë hulumtimet që të shihet se çfarë krime janë kryer në Kosovë, do të përfshihen të gjitha krimet që janë kryer gjatë asaj kohe. A do të mund t’i përfshijmë të gjitha krimet dhe a do të mund t’i dokumentojmë të gjitha krimet, tash 20 vjet pas luftës, kjo është diçka që mbetet të shihet kur të dalim në terren”, shtoi ajo.Sheremeti, e cila është duke doktoruar në Belgjikë në temën për matjen e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës, thekson që Grupi punues do ta bëjë analizën dhe do të shqyrtojë se cila është mënyra më e mirë për themelimin e një instituti të tillë, i cili duhet të ketë një bazë mjaft të fuqishme.
“Në momentin që bazat i vendosim të forta, atëherë besoj që puna e institutit, i cili do të themelohet më vonë, do të jetë shumë më e lehtë. Unë mendoj që një institut i mirëfilltë duhet të ketë një bazë të fortë, e cila lidhet me një buxhet të caktuar që do të mund të siguronte një punë të vazhdueshme për njerëzit që do të ishin pjesë e institutit, një buxhet që do të mund të siguronte hulumtues në terren më vonë. Instituti duhet të formohet me ligj, të ketë linjë të vete buxhetore, të ketë brenda vetes persona që janë ekspertë të fushës dhe gjithashtu të ketë lidhje me Akademinë, me univesitetin, me shoqërinë civile”.
“Ne kemi organizata civile, të cilat e kanë mbajtur frontin në përballje me të kaluarën në Kosovë. Krejt çka është dokumentuar në Kosovë, në mënyrë objektive, është dokumentuar prej organizatave të shoqërisë civile, fatkeqësisht”, theksoi Sheremeti.
Ballafaqimi me të kaluarën
Instituti i mëhershëm për hulumtimin e krimeve të luftës, të cilin gjithashtu e pati formuar Qeveria e Kosovës, gjatë punës së tij, ka publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Ish-drejtuesi i atij instituti, Ismet Salihu, profesori i të Drejtës Penale, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka theksuar që me mbylljen e institutit, me vendimin e kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, është bërë dëm i madh. Mbyllja e institutit, sipas tij, ishte bërë “me qëllimin e reformimit të administratës së gjyqësorit”.
Salihu thekson që për përballjen me të kaluarën dhe pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, duhet të bëhen të ditura krimet e luftës dhe për këtë arsye është i domosdoshëm formimi i institutit.
“Sfidat kanë qenë të shumta. Në vitin e parë nuk kemi pasur as zyre. Vetëm në vitin 2012 e kemi marrë një objekt ku kemi qene shtatë persona të punësuar. Por, nuk kemi patur mbështetje të duhur, për shkak se nuk na është mundësuar që të bëjmë hulumtime në terren“.
Por, përkundër kësaj, ky institut ka bërë punë relativisht të mirë. Ka bërë hulumtimin e krimeve të vrasjes, për të zhdukurit, për shkatërrimin e arkivave, shkatërrimet e trashëgimisë kulturore. Kemi bërë edhe botimin për krimin e Reçakut, krimet që kanë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare. Në përgjithësi kemi bërë hulumtive për këto krime, të cilat janë botuar si libra në gjuhën shqipe dhe angleze, si dhe kemi organizuar disa ekspozita për krimet e luftës”, tha Salihu.
Ai shtoi që ironia ishte edhe më e madhe, sepse përkundër punës që ishte bërë, qeveria kishte vendosur që institutit të mos i paguhej më qiraja në objektin ku ishte vendosur, për shkak se ishte objekt privat. Sipas tij, hapësirat e reja të punës ishin disa kontejnerë, të cilët nuk ishin të përshtatshëm për punë, por megjithatë puna vazhdoi deri në vendimin e qeverisë për transformimin e këtij instituti në Divizon për Drejtësi Tranzicionale.
Megjithatë, Sheremeti konsideron që problemi i institutit të mëparshëm ishte baza e dobët dhe formimi i tij përmes vendimeve pa strategji operacionale.
Ajo thekson që për formimin e sërishëm të institutit mbase do të duhet më shumë kohë, por sipas saj, do të bëhën përpjekje që të vendoset bazë sa më e fuqishme, me këshilla edhe të ekspertëve vendosrë dhe të huaj.
Familjet e vikimave, të lodhura
Sheremeti thotë se është sfidë e madhe që të punohet në këtë drejtim 20 vjet pas përfundimit të luftës, para së gjithash për shkak se familjet e viktimave, sipas saj, janë të lodhura.
“Sistemi ynë , për 20 vjet, i ka maltretuar këta njerëz. Këtu po i përfshijë edhe menxhimin e situatës më herët nga UNMIK-u, nga EULEX-i. Unë kam pasur rastin kur viktimat më kanë thënë ‘ma kanë humbur dosjen tri herë dhe kanë ardhur sërish që të mi bëjnë pyetjet e njëjta’. Pra, është tepër e vështirë, por në anën tjetër, nuk është e pamundshme”.
“Është momenti i fundit tash që të bëjme diçka, sepse nëse nuk bëjmë, gjeneratat janë duke vdekur. Memorja primare është duke vdekur dhe kujtimet e luftës janë duke mbetur vetëm si rezultat i asaj që prindërit u kanë treguar fëmijëve. Ka për të qenë shumë e vështirë, por e kemi obligim dhe realisht, i kemi borgj vetes së pari dhe gjithë viktimave të luftës , që t’iu jepet mundësia që t’i mbyllin plagët”, u shpreh Sheremeti.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civil.
Edhe më tej është duke u hulumuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.
Megjithatë, puna për frmimin e institutit të ri do të varet edhe nga situata aktuale politike në Kosovë. Qeveria e Albin Kurtit, që nga 25 marsi është në detyrë, pas votimit të mosbesimit ndaj kësaj qeverie nga ana e Kuvendit të Kosovës, me kërkesën e partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deri në fund të muajit maj, pritet që Gjykata Kushtetuese të sjellë vendimin për dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes të cilit e ka caktuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar të ri të qeverisë.
Kurti konsideron që formimi i qeverisë së re, pas votimit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, është jokushtetues dhe se zgjedhjet e reja të parakohshme janë zgjidhja e vetme.