Instituti zviceran që do ta hetonte vdekjen e Astrit Deharin shtyen vizitën në Kosovë, Prokuroria interviston 17 persona

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Edhe dy muaj bëhen katër vite nga vdekja e mistershme e Astrit Deharit.Ish aktivist i LVV-së ishte gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren me 5 nëntor të vitit 2016. Dy javë më pas Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore kishte konstatuar se ai kishte bërë vetëvrasje.

Por me këtë konstatim nuk ishte pajtuar familja Dehari e cila kishte kërkuar që të bëhet ekspertizë në Zvicër.

Në fund të muajit tetor të vitit të kaluar Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës kishte konstatuar se Astrit Dehari ka pak gjasa ta ketë vrarë vetën në burg.

Ekspertë të këtij instituti ishin ftuar nga Prokuroria Speciale për t’i ndihmuar për ta zbardhur njërin nga rastet më të komplikuara të pasluftës në Kosovë.

Ata planifikuan të vinin në Kosovë në qershor të këtij viti, por për shkak të pandemisë e kanë shtyrë ardhjen e tyre në Kosovë.

Këtë e kanë konfirmuar me anë të një përgjigje me shkrim për gazetën Objektiv Instituti zviceran.

“S’kemi qenë në Kosovë shkaku i krizës së CoViD-19. Sidoqoftë, mendojmë se do ta ri-organizojmë udhëtimin dikur më vonë”, thuhet në përgjigjen e Institutin Zviceran në Lozanë.

E zëshme për ta zbardhur këtë rast ishte edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila edhe kishte zhvilluar një takim me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Në këtë drejtim unë jam takuar me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe kam shprehur gatishmërinë për angazhimin që duhet të bëhet për tu zbardhur ky rast. Gjatë atij takimi ka shprehur gatishmërinë e qeverisë në raport me mbështetjen e  Prokurorisë për çfarëdo kërkese që kanë për këtë çështje”.

Haxhiu nuk është e kënaqur me punën e deritashme të Prokurorisë Speciale. Sipas saj është neglizhuar ky rast nga organet e rendit në Kosovë.

“Prokuroria do të duhej ti bënte të qarta secilin veprim për këtë hetim, sepse ka qenë një ndër skandalet më të mëdha në Kosovë. Një aktivist ishte arrestuar pa asnjë fakt. Në nëntor bëhen katër vite kur aktivistit Astit Dehari nuk është më në mesnesh, Institucionet tona e kanë neglizhuar këtë rast. Prokuroria duhet vëmendshëm ta trajtojë këtë rast, ne jemi të bindur që ka persona të përfshirë në këtë rast. E vërteta për rastin Dehari duhet të dalë në shesh”.

I zhgënjyer me punën e organit të akuzës është edhe avokati i familjes Dehari, Tomw Gashi cili thotë se nuk ka rezultate të dëshiruara të zbardhjes së rastit të Astrit Deharit.

Sipas Gashit, është e pazakontë që katër persona që kanë qenë në burg me Astrit Deharin, njëri ka vdekur, një është në arrati e dy janë liruar para kohe nga burgu.

“Në dhomën ku ka qëndruar Dehari kanë qenë edhe tre persona të tjerë. Njëri ka vdekur. Pastaj kemi një të dyshuar tjetër i cili është në arrati, pastaj kemi një tjetër që presidenti i ka faluar burgun, kemi personin e katërt që është liruar”.

Ndërkohë Prokuroria Speciale deri më tani ka intervistuar 17 gardianë të qendrës së paraburgimit në Prizren.

Gjithashtu janë intervistuar edhe zyrtar policor, përfshirë ish drejtorin e Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.

Por nga ky organ i akuzës nuk kanë treguar se deri ku ka shkuar ky rast, pasi kanë thënë se rasti është ende nën hetime. /Objektiv.

Të ngjashme