Fati i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE varet nga votimi i sotëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut i cili do të votojë propozimin francez.
Në seancën që fillon në orën 13:30, deputetët duhet të debatojnë për informacionin mbi përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, të propozuar nga ana e Francës, vend që deri në datë 30 qershor ka mbajtur kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian.
Qeveria maqedonase thotë se propozimi francez është i mirë dhe se duhet të pranohet për të hequr veton bullgare e për të zhbllokuar procesin e eurointegrimit të vendit. Opozita është me qëndrim të kundërt, ndërsa mospublikimi i protokollit dhe përmbajtjes së tij, hedh dyshime shtesë në atë se çfarë po bën qeveria.
Në letrën për Shkupin të fillimjavës, kancelari Scholz shprehet se 17 vjet pas dhënies së statusit kandidat, më në fund mund të mbahet konferenca për anëtarësim.
Propozimi francez përmban 7 pika. Pjesa që ka nxitur më shumë debate është çështja e gjuhës dhe historia, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.