Policia e Kosovës në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme për implementimin e strategjive dhe planeve policore që ndërlidhen me luftimin e dukurive negative, krimin organizuar si dhe aktiviteteteve ilegale në përgjithësi, të cilat mund të ndikojnë drejtperdrejt apo terthorazi në sigurinë e përgjithshme apo mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst janë realizuar edhe një numër i madh i operacioneve policore në shkallë vendi duke perfshirë edhe luftën e pakompromis kundër veprave penale që sipas Kodit Penal cilësohen ‘fajde’ dhe si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe operacioneve intensive janë arrestuar persona të dyshuar, janë sekuestruar dëshmi të ndryshme, përderisa rastet e tilla në konsultim me prokuroritë përkatëse janë trajtuar dhe proceduar konform ligjeve të aplikueshme.
Javën që po lëmë pas (datë 23.08.2019), Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas pranimit të një informate se dy persona të dyshuar janë të involvuar në vazhdimësi në vepra penale; ‘fajde’, ‘detyrim’ etj. policia menjëherë, në koordinim me organet kompetente të drejtësisë konform procedurave ka realizuar kontrollin e lokacioneve të të dyshuarve të përfshirë.
Operacioni policor ka filluar me datë 23.8.2019 në ora 14:30 në dy lokacione, me përkrahjen e NJSO-së në Prishtinë dhe një njësi nga Drejtoria e Krim -Teknikës.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar: një (1) revole tipi ‘berandeli’ 7.65mm një karikator me pesë (5) fishekë, një (1) veturë, një DVR dhe disa dokumentacione relevante për rastin.
I dyshuari i parë nuk është gjetur në shtëpi andaj i njëjti është në kërkim policor, kurse i dyshuari i dytë është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit ishte dërguar në mbajtje.
Pas angazhimeve intenzive të policisë dhe prokurorisë një ditë më vonë është arritur identifikimi dhe arrestimi i përsonit të dytë që ishte në kërkim, të cilit i janë sekuestruar (3) tre telefona celularë dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.
Më 24.8.2019, policia ka arrestuar edhe (2) dy persona të tjerë si të dyshuar të implikuar në rastin e lartpërmendur dhe hetimet janë në proces.
Policia, bazuar në mandatin e saj ligjor mbledh dhe analizon të dhëna për dukuri të ndryshme kriminale, të cilat mund të paraqesin rrezik për shoqërinë dhe njëkohësisht bën planifikime operacionale për parandalimin e veprave penale, në rastin konkret të fajdesë dhe detyrimit.
Qëllimi i këtyre operacioneve policore është identifikimi, parandalimi, hetimi dhe arrestimi i të dyshuarve që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar me vepra penale të fajdesë dhe detyrimit.
Bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, lidhur me luftimin e këtyre veprave penale si dhe bashkëpunimi me qytetarët në këtë drejtim kanë dhënë rezultate.
Andaj kërkojmë që qytetarët tanë që mund të jenë viktima të këtyre rasteve dhe kushdo tjetër që ka informacione relevante të njoftojë Policinë e Kosovës.
Me qëllim të sensibilizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me qytetarë, si dhe me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, ftojmë qytetarët që kanë informata ta kontaktoni Policinë e Kosovës në numrat e telefonit: 038 504 504 1677ose 044 504 289, ku ju sigurojmë se të gjitha informacionet tuaja do të trajtohen me prioritet dhe konfidencialitet të plotë.