Romelu Lukaku, Matteo Darmian dhe Alexis Sanchez shënuan për një fitore tjetër bindëse të skuadrës së Antonio Contes në San Siro.
Zikaltrit po vinin nga një triumf madhështor kundër rivalit të qytetit, Milan – i cili ishte një duel i drejtpërdrejt për titull mes tyre pas një kohe të gjatë – një javë më parë, të vetëdijshëm se fitorja ndaj Genoas duhej të arrihej patjetër, gjë që e kishte pranuar edhe Conte ditë më parë.
Dhe pikërisht këtë e arritën, në një ndeshje të cilën e mbizotëruan plotësisht nga fishkëllima e parë deri te ajo e fundit.
Interi tani grumbullon 56 pikë në vendin e parë, duke e lënë Milanin mbrapa me 49 pikë dhe Juventusin në vendin e tretë me 46 pikë. Këto dy të fundit e kanë zhvilluar nga një ndeshje më pak, megjithatë.
Zikaltërve iu deshën vetëm 32 sekonda për të kaluar në epërsi kundër Genoas, kur Lukaku e shënoi një tjetër gol individual, kësaj radhe me këmbën e tij të dobët, të djathtën.
Dominimi i vendasve ishte shumë i madh në pjesën e parë dhe megjithëse skuadra krijoi shumë, nuk qe në gjendje t’i konkretizojë rastet.
Skuadrës së Contes iu desh të priste deri në minutën e 70-të për ta shënuar golin e qetësisë, kur Lukaku e shërbeu Darmianin i cili shënoi nga afërsia.
Rreth një çerek loje para fundit, Sanchez e vulosi fitoren e zikaltërve duke shënuar me kokë pas një topi të kthyer në zonë.
Genoa nuk qe në gjendje ta rrezikojë seriozisht skuadrën vendase dhe me meritë u largua nga Milano duarthatë.