Interi i Contes para testit më të vështirë në “Champions”

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Antonio Conte është kthyer në futbollin italian me shumë stil, pasi Interi po fluturon nën urdhrat e tij këtë edicion.

Me Conten në krye, Interi ka regjistruar start perfekt në Serie A, duke shënuar gjashtë fitore në po aq xhiro të luajtura deri më tash. Kjo është hera e parë pas 53 vjetësh që Interi ka pasur një nismë të tillë. Por, tash ekipi i Contes është para testit më të vështirë deri më tash.

Të mërkurën (sot) në kuadër të Grupit F të Ligës së Kampionëve, do të luajë në udhëtim me Barcelonën prej orës 21:00.

Të dy ekipet kanë luajtur baras në xhiron e parë të kësaj gare para dy javëve. Interi barazoi 1:1 në shtëpi ndaj Sparta Pragës, derisa Barça luajti pa gola në udhëtim kundër Dortmundit.

Conte pas ndeshjes me Barcelonën do ta ketë edhe një test të vështirë, pasi të dielën përballet me Juventusin në kuadër të Serie A. Conte zyrtarisht është trajneri më i paguar në kampionatin italian me pagë vjetore prej dhjetë milionë eurosh.

“Unë jam një trajner që gjithmonë i jep një ide të saktë ekipit. Futbolli im gjithmonë ka qenë i organizuar, ne kemi një ide dhe punojmë shumë me një varg skenarësh. Në të gjitha ndeshjet e këtij edicioni kemi treguar cilësi dhe organizim, por në disa raste ka munguar mentaliteti. Ndaj Barcelonës pres që ekipi të ketë mentalitetin e duhur”, është shprehur Conte..

Të ngjashme