Juventus pret të dielën mbrëma Interin. Një ndeshje ku përballen dy skuadrat që udhëheqin kampionatin dhe që për shumë konsiderohet edhe si ajo sfidë që mund të ndajë se cila prej organikave është më e fortë dhe që mund të mbërrijë te titulli, duke qenë se në këto 12 javë, diferenca është vetëm dy pikë që janë në favor të Inter.
Megjithatë, në konferencën për shtyp, trajneri i zikaltërve Simone Inzaghi theksoi se sfida ndaj Juventus nuk mund të jetë deçizive për fatet e titullit ndërsa konfirmoi mugesat e Pavard dhe Bastoni.
“Do të jetë një ndeshje e madhe, luan vendi i parë me vendin e dytë. Të gjithë e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje, përballen dy skuadra që janë të ngjashme dhe që kanë marrë shumë pikë deri në këtë fazë të kampionatit.
A e prisja që Juventus të ishte kaq pranë Inter? Sigurisht që po, kanë një trajner të shkëlqyer si Allegri. Juventus ka një skuadër shumë të mirë dhe ata duan të fitojnë gjithmonë. Këtë vit kanë edhe më shumë kohë për të përgatitur ndeshjet pasi nuk janë në Europë, e dimë të gjithë që ky është një avantazh i madh. Megjithatë, ne nuk fshihemi dhe i dimë shumë përgjegjësitë dhe objektivat tonë.
Ndaj Juventus nuk do të jenë Bastoni dhe Pavard, ndërsa më duhet të vlerësoj gjendjen e Cuadrados dhe Sanches. Cuadrado është një lojtar i madh, por iu shfaqën disa probleme në tendinë të cilat nuk i ka pasur kurrë më parë. Kjo na ka penalizuar.
E përsëris që ndeshja me Juventus nuk do të jetë vendimtare. Do të jetë e rëndësishme kjo kuptohet, por mbeten edhe shumë sfida të tjera për t’u luajtur”, u shpreh Inzaghi.