Ministria e Shëndetësisë dje bëri të ditur se në vendin tonë janë rikonfirmuar dy raste të infektimeve me variantin indian, apo Delta.
Internisti, Driton Vela, për emisionin Info Magazine në Klan Kosova u shpreh se kjo është shqetësuese për faktin që veçse ky variant ka zënë rrënjë të veta në Kosovë, edhe pse fatmirësisht nuk është dominant, por që mund të bëhet në të ardhmen.
“Përvoja nëpër Evropë tregon që kjo verë mund të bëhet sfiduese për Kosovën”.
“Duhet t’i mbrojmë grupmoshat më të ndjeshme. Ata me një masë tashmë edhe janë vaksinuar. Ta shfrytëzojnë mundësinë tani që të jenë të mbrojtur ndaj një vale potenciale me variantin Delta që mund të jetë e afërt”.
“Vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer ofrojnë mbrojtje shumë të lartë, por vetëm pasi janë marr dy dozat”.
“Pfizer të mbron më tepër nga forma simptomatike e sëmundjes dhe lajmi i mire është që të dy vaksinat mund të na mbrojnë nga hospitalizimi dhe vdekja në mbi 90 % të rasteve”.
“Rreziku është real. Vaksinimi masiv duhet të rritet. Dy muajt e ardhshëm janë kritikë dhe lus qytetarët që t’i shfrytëzojnë mundësitë dhe të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Vela.