Avokati përfaqësues i prokurorisë greke kundër çështjes së kapitenit të Manchester United, Harry Maguire refuzoi pretendimet e tij “qesharake” në një intervistë të fundit.
Maguire tha dje në një intervistë me BBC se besonte se po merrej peng nga policë të rremë në Mykonos dhe se ishte larguar pasi “trembej për jetën” kur ata sipas tij e goditën në këmbë.
Kjo intervista e tij e parë që pas dënimit me 21 muaj burg i pezulluar pas sherrit në ishullin grek të pushimeve.
Ioannis Paradissis tha se ritregimi i ngjarjeve nga Maguire ishte “qesharak” dhe “i pamundur” si dhe dënoi gazetarin e BBC që nuk e pyeti atë më gjatë për pretendimet fantastike të “2 shqiptarëve që tentuan të drogonin motrën e tij”.
Paradissis foli për DailyMail: “U përpoqa të kuptoj atë që Maguire po thoshte dhe ishte qesharake pasi ai vetëm po i hap punë vetes pas sulmit që ka kryer ndaj punonjësve grekë të policisë”.
“Pretendimet e Maguire se kishte frikë mos merrej peng nuk janë fjalë nga një njeri i respektueshëm. Kjo pasi ai la prapa të fejuarën e miqtë e tij dhe nëse une do të isha një prej tyre do të isha mjaft i nxehur me të”.
Ai shtoi më tej: “Përse BBC nuk e pyeti atë më tej mbi shqiptarët që supozohet se kishte hasur në klub? Nga e dinte ai se ata njerëz ishin shqiptarë? Mos janë gjë kapiteni i Manchester United dhe miqtë e tij, ekspertë të kulturës dhe popullit shqiptar? A dinë shqip ata?”
“Në intervistën e tij Maguire nuk i referohet më shqiptarëve, siç bëri miku i tij në gjykatë? Ç’është pra kjo histori për dy njerëz të thjeshtë dhe etiketimin e tyre si shqiptarë? Përse gazetari nuk e pyeti më tej për këtë?”
Paradissis vazhdonte retorikën e tij të zemëruar: “Po kërkesa e ndjesës ku është për sjelljen e tyre? Tre policë u plagosën atë natë dhe u dërguan për trajtim në spital. Një njeri i pasur vjen në Mykonos dhe kujton se mund të bëjë ç’të dojë. Pastaj ai shkon e flet në një televizion të huaj për të justifikuar veprimet e tij dhe nuk ka asnjë fjalë që të thotë ‘më fal’”.