Komisioni hetimor parlamentar ka përfunduar intervistimin e 8 personave, zyrtarë policorë, të cilët kanë qenë në krye të detyrës gjatë deportimit të 6 shtetasve turq në mars të këtij viti.
Të intervistuarit nuk janë deklaruar për media me arsyetimin se nuk kanë të drejtë të japin detaje lidhur me intervistimin, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo Rrahman Sylejmani, shef i Departamentit për Migrim, duke u larguar nga salla ku është mbajtur intervistimi tha se në komision është ftuar për të raportuar lidhur me veprimet e marra ditën e deportimit të 6 shtetasve turq.
Kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, tha se ka indikacione që duhet të ftohen edhe zyrtarë të tjerë për intervistim, raporton EO.
“Nuk kemi përfundu me intervistimin e zyrtarëve policorë. Mendoj që është e rëndësishme t’i dëgjojmë të gjithë, pastaj të vlerësohet a ka nevojë për të ftu tjerë. Indikacionet e para janë që ka nevojë për të ftu të tjerë”.
“Do të intervistohen tash edhe zyrtarët që kanë qenë përgjegjës në aeroport, po ashtu edhe drejtori i Policisë, radhazi derisa nuk e përmbyllim këtë institucion, do të kalojmë edhe në institucione të tjera.
Ai tha se për kohën e intervistimit të zyrtarëve të tjerë do të vendoset më vonë.