Investimet e MBPZhR-së dhe donatorëve gjermanë po rrisin prodhimtarinë bujqësore

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Investimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe donatorëve gjermanë po arrijnë që ta zhvillojnë sektorin e bujqësisë, duke ndikuar kështu në fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori dhe duke gjeneruar vende të reja të punës.

Kështu është thënë sot gjatë vizitës që zëvendësministri i MBPZhR-së, Mevludin Krasniqi bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Kapllan Halimi dhe Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt i kanë bërë Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) dhe Qendrës Edukuese të Fermerëve në Komunën e Vushtrrisë.

Me këtë rast, zëvendësministri Krasniqi ka theksuar se IADK-ja me punën dhe përkushtimin e stafit profesional, përmes donacioneve nga GIZ – CETEP dhe partnerët tjerë gjermanë, ka mbështetur dhe po vazhdon të mbështesë qindra fermerë të vegjël anekënd vendit në zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi, e sidomos sektorin e bimëve aromatike mjekësore dhe atë të frutave të malit në veçanti.

“Produktet Made in Kosova, bimët aromatike mjekësore dhe frutat e malit suksesshëm kanë depërtuar në tregjet evropiane, ku eksporti i tyre në vendet e rajonit dhe Evropës ka arritur në 95%”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë kësaj vizite, ai ka falënderuar donatorët gjermanë dhe stafin e IADK-së për angazhimin e tyre në fuqizimin e bujqësisë në Kosovë.

Me këtë rast, ata kanë vizituar edhe disa fermer përfitues të granteve investive në Studime të Epërme dhe të Poshtme të Vushtrrisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme